AKTUALITET, 27 Shkurt 2022, 20:50

FIFA heq flamurin e Rusisë dhe ndalon himnin kombëtar të saj

FIFA heq flamurin e Rusisë dhe ndalon himnin kombëtar të saj

FIFA i është përgjigjur pushtimit të Ukrainës duke i thënë Rusisë që të luajë ndeshjet në shtëpi në vende neutrale dhe duke ndaluar flamurin dhe himnin e saj kombëtar nga ndeshjet.

Organi drejtues i futbollit botëror tha se ekipet ruse do të luajnë si “Unioni i Futbollit të Rusisë”.

“Asnjë aktivitet ndërkombëtar nuk do të zhvillohet në territorin e Rusisë, me ndeshjet ”në shtëpi” që do të luhen në një fushë asnjanëse dhe pa spektatorë.

Anëtari i federatës që përfaqëson Rusinë do të marrë pjesë në çdo kompeticion nën emrin “Unioni i Futbollit të Rusisë” dhe jo Rusia.

Asnjë flamur apo himn kombëtar i Rusisë nuk do të përdoret në ndeshjet ku skuadrat nga Unioni i Futbollit të Rusisë marrin pjesë”, shkruhet në njoftimin e FIFA-s.

Ndërkohë, kjo e fundit bëri me dije se do të vazhdonte “dialogun me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, UEFA dhe organizatat e tjera sportive për të përcaktuar masa dhe sanksione të tjera, përfshirë edhe një  përjashtim të mundshëm nga aktivitetet, që do të aplikohet në të ardhmen nëse situata nuk përmirësohet shpejt. Byroja e Këshillit të FIFA-s është në gatishmëri për të marrë secilën nga këto masa”, theksohej në këtë vendim.