AKTUALITET, 11 Mars 2025, 13:49

Çfarë po ndodh në Gjykatë/ Seanca në Apel, avokatët e Veliajt kërkojnë lirinë për kryebashkiakun

Çfarë po ndodh në Gjykatë/ Seanca në Apel,

Vijon prej tre orësh seanca në Apelin e Posaçëm për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe për katër biznesmenët e tjerë ndaj të cilëve GJKKO ka caktuar masë sigurie.

Deri më tani, ka përfunduar mbrojtjen avokati i kryebashkiakut, Ermir Beta, ndërkohë në këto momente po bën mbrojtjen avokati tjetër i Veliajt Artur Selmani.

Avokatët e Veliajt kanë kërkuar shfuqizim të masës “arrest me burg” ose një masë më të butë sigurie.

Pas tyre pritet të flasë vetë Erion Veliaj, që mbahet në masën e sigurisë “arrest në burg” që prej datës 12 shkurt nën dyshimet se ka konsumuar dy vepra penale “korrupsion pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”.

I pranishëm në seancë këtë të martë është edhe biznesmeni Elman Abule bashkë me avokaten e tij Romina Zano, të cilët po ashtu do bëjnë mbrojtjen përpara gjykatës.

Mbetet për të folur edhe biznesmeni Shkëlqim Fusha bashkë me avokatin e tij, si dhe avokati i Gentian Sulës dhe i Meriman Palushit.

Në përfundim të mbrojtjes Prokuroria e Posaçme do japë qëndrimin e saj sa i përket kërkesave të avokatëve që kanë ankimuar masën.

Masën e sigurisë nuk e kanë ankimuar në shkallën e dytë të gjyqësorit Ajola Xoxa, Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi.

Seanca e kësaj të marte pritet të zgjasë disa orë, ku me pas gjyqtari Engert Pëllumbi do tërhiqet në dhomë këshillimi për të shpallur vendimin, nëse do lërë në fuqi vendimin e datës 12 shkurt të GJKKO apo në rast se do ndryshoje vendimin e shkallës së parë.