AKTUALITET, 5 Korrik 2026, 11:52

Familja refuzoi homazhet publike në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, aktori Koço Qendro përcillet me një ceremoni mortore private

Familja refuzoi homazhet publike në Teatrin “Andon Zako

Korça i dha këtë të diel lamtumirën e fundit aktorit të madh të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Koço Qendro, i cili u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike dhe njerëzore.

Ashtu siç kishte lënë amanet, nuk pati homazhe publike në Teatrin “Andon Zako Çajupi”.

Ceremonia mortore u zhvillua në mënyrë private dhe modeste, sipas dëshirës së të ndjerit, në praninë e familjarëve, miqve të afërt, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit me respekt dhe përulësi.

Megjithëse pa ceremonial zyrtar, emocionet ishin të forta. Artistë, miq dhe bashkëpunëtorë kujtuan jo vetëm aktorin që i dha jetë dhjetëra roleve të paharruara, por edhe njeriun e urtë, qytetarin shembull dhe prindin e përkushtuar.

Për ta, Koço Qendro mbetet një nga figurat më përfaqësuese të teatrit dhe humorit shqiptar, si edhe një prej njerëzve që dokumentoi dhe ruajti historinë e teatrit dhe estradës së Korçës.