AKTUALITET, 30 Shtator 2023, 17:23

Çështja “Gërdeci”, BIRN: Gjyqi i zgjatur ndaj Fatmir Mediut vijon me shtyrje

Çështja “Gërdeci”, BIRN: Gjyqi i zgjatur ndaj

Gjatë tre seancave të fundit, prej momentit kur u pranua kërkesa e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për heqjen e gjykimit të shkurtuar, palët në procesin e ngritur ndaj tij për përgjegjësinë në ngjarjen tragjike të Gërdecit kanë paraqitur kërkesat për thirrjen e qindra dëshmitarëve, ç’ka vijon të sjellë shtyrje me argumentin se duhet të njihen me kërkimet për të mbajtur qëndrime dhe që gjykata që të marrë vendim lidhur me ato.

Seanca e planifikuar të premten më 29 shtator për çështjen e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu u shty sërish. Përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Henrik Ligori paraqiti qëndrimin ndaj listës së dëshmitarëve të kërkuar nga prokuroria për t’u thirrur në proces dhe theksoi se ata u qëndronin thuajse të gjitha kërkimeve për thirrjen e dëshmitarëve të listuar në seancën e të premtes më 8 shtator.

Atëherë Ligori renditi një listë të gjatë personash që kërkonin të pyeteshin në cilësinë e dëshmitarit, mes tyre dhjetëra personaliteteve ushtarakë të huaj e shqiptarë; ish-ministria e ish-drejtues të institucioneve ligjzbatuese; u kërkuan të thirren ekspertë e të analizohen regjistrimet e pamjeve të shpërthimit në Gërdec.

Prokurorët e posaçëm kërkuan atëherë kohë për të shqyrtuar kërkimet e mbrojtësve të Mediut, si dhe për të paraqitur listën e dëshmitarëve dhe provave nga ana e tyre, të cilat i parashtruan në seancën e 22 shtatorit. Prokuroria e Posaçme kërkoi të pyeten 52 persona në cilësinë e dëshmitarit, mes tyre edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha në kohën kur ndodhi tragjedia e Gërdecit.

Edhe ajo seancë u shty për ti dhënë mundësi mbrojtësve të të pandehurit të mbanin qëndrim, që u paraqit nga avokati Ligori në seancën e të premtes më 29 shtator, kur ai tha se kërkimet janë thuajse të njëjta me ato të paraqitura më parë.

Ligori vërejti se një pjesë e zyrtarëve që kanë kryer demontimin janë shpallur të pafajshëm dhe sipas tij, nuk shkonte që Mediu të ishte i pandehur për shpërdorim detyre për atë ngjarje.Nisur nga fakti se edhe SPAK ka kërkuar pyetjen e Mediut në Gjykatë, Ligori tha se do të ishte më mirë që ai të pyetjet prej tyre dhe jo nga prokurorët.

Në vijim paraqiti qëndrimin përfaqësuesi ligjor i viktimave dhe familjarëve të tyre, avokati Dorian Matlija, i cili konstatoi se rreth 25 dëshmitarët e thirrur nga prokuroria janë viktima dhe se nuk kanë pasur lidhje me procesin e demontimit, pasi nuk punonin atje. Sipas tij, në këto kushte ata nuk mund të dinë e të tregojnë rrethana lidhur me atë se çfarë ndodhte.

Matlija theksoi se personalitetet e huaja të kërkuara nga mbrojtja, që nuk kishin të bënin me akuzën e ngritur nga prokuroria, ishte e panevosjhme të thërriteshin si dëshmitarë. “Thirrja e këtyre personave që nuk kanë lidhje me ngjarjen, thjesht do të zvarriste procesin”, pohoi Matlija dhe shtoi se prokuroria e ka ngritur akuzën lidhur me përgjegjësit që krijuan kushtet të rrezikshme për procesin e demontimit në Gërdec.

Ai dorëzoi dhe një listë për 12 dëshmitarë që kërkoi të pyeten, për disa prej të cilëve tha se janë dhe në listat e dorëzuara nga palët.

Avokati i Mediut mbajti qëndrim ndaj kërkimeve të Matlijas, duke u shprehur se është nevoja për t’u hetuar në thellësi. Sipas Ligorit, nuk është në funksion të drejtësisë një proces i shpejtë. Ai këmbënguli se personalitetet dhe ekspertët e huaj kanë pasur bashkëpunim të ngushtë në procesin e demontimit të armëve dhe municioneve në Shqipëri.

Në përfundim, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë seancën për më datë 3 tetor, në orën 15:00, me argumentin që të njihej me provat dhe kërkimet e palëve, si dhe që përfaqësuesi i viktimave, avokati Dorian Matlija të njihej me kërkimet e mbrojtësve të Mediut.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin e Mediut./BIRN