AKTUALITET, 30 Shtator 2023, 14:34

Monitor: Stepje e përkohshme e ndërtimit nga çmimet e larta, por jo e pasurive të paluajtshme

Monitor: Stepje e përkohshme e ndërtimit nga çmimet e larta,

Ndërtimi u kthye vitet e fundit në një nga sektorët kryesorë që po mbështet rritjen ekonomike, i nxitur nga shtimi i projekteve rezidenciale, vazhdimi i punimeve për rindërtimin pas tërmetit dhe investimet publike, kryesisht në ndërtimin e rrugëve.

Tendenca e rritjes vijoi dhe në vitin 2022, ndonëse me ritme më të ngadalësuara, për shkak të çmimeve të larta të materialeve të ndërtimit në pjesën e parë të vitit dhe përfundimit të projekteve të rindërtimit të tërmetit.

Kjo situatë ndikoi më shumë segmentin e punëve publike, ndërsa sipërmarrjet e përqendruara në aktivitetin e pasurive të paluajtshme raportuan ecuri më pozitive.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në sektorin e ndërtimit, në vitin 2022, ishte rreth 207 miliardë lekë (1.9 miliardë euro).

Që prej 2014-s, sektori i është rikthyer ciklit të zgjerimit, dhe në vitin 2022 arriti në nivelin më të lartë të paktën që nga 2008-a, kur janë dhe të dhënat më të hershme të publikuara nga INSTAT.

Pesha e ndërtimit ndaj PBB-së në total u rrit me gati 0.2 pikë përqindje në vitin 2022, nga 0.6 pikë përqindje, që ishte zgjerimi në 2021, duke arritur në nivelin më të lartë që nga 2013-a.

Sektori e nisi me vrull vitin, duke u rritur me 25.3% në tremujorin e parë.

Në tremujorin e dytë, ndërtimi u step, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të materialeve të ndërtimit, si rrjedhojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, me kompanitë e punëve publike që pezulluan përkohësisht punimet.

Në pjesën e dytë të vitit, sektori u gjallërua sërish, me rritje përkatësisht 10.8 dhe 14.4% në tremujorin e tretë e të katërt.

Ndërtimi e mbylli vitin 2022 me rritje prej 10.7%, në ngadalësim nga viti i mëparshëm, kur zgjerimi kulmoi në 18%.

Ecuri më të mirë kishte aktiviteti i pasurive të paluajtshme, që u zgjerua me 11.2%, nga 5.8% vitin e mëparshëm, ritmet më të larta në të paktën një dekadë.

Në linjë me ngadalësimin e ndërtimit, disa sipërmarrje të punëve publike raportuan rënie të fortë të të ardhurave, të ndikuara dhe nga përfundimi i punimeve për rindërtimin pas tërmetit të 2019-s, që kishte nxitur aktivitetin e tyre.

Në të kundërt, segmenti i ndërtimeve rezidenciale ishte më pozitiv, i ndikuar nga shtimi i sipërfaqes së dhënë për leje ndërtimi, sidomos në kryeqytet.

Shtimi i aktivitetit të pasurive të paluajtshme ndikoi dhe industrinë mbështetëse, sidomos atë të tregtimit të produkteve hidrosanitare.

Rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit shtoi qarkullimin e sipërmarrjeve të tregtimit të tyre, sidomos të çimentos, aluminit e çelikut.

Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve.

“Shijaku” ishte edhe në vitin 2022, sipërmarrja më e madhe e ndërtimeve në vend. Të ardhurat e saj ishin rreth 11.4 miliardë lekë, me rritje 24% me bazë vjetore. Kompania është zgjeruar vitet e fundit në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe HEC-eve.

Sipas raportit të aktivitetit, kompania ka zgjeruar eksportin me 600 herë, i cili ka sjellë 15% të të ardhurave në vitin 2022.

“Gjatë vitit 2022, të ardhurat nga shitjet e mallrave për eksport janë rritur në krahasim me vitet e kaluara, për shkak të zgjerimit të aktivitetit dhe mundësive të reja në treg dhe shfrytëzimit me eficiencë të burimeve (eksporti i mbetjeve industriale skrap hekuri)”.

“Gener 2”, me aktivitet në ndërtimet inxhinierike, rezidenciale dhe menaxhimin e qendrave tregtare, ka pasur aktivitet pozitiv në vitin 2022, duke u renditur sipërmarrja e dytë më e madhe e ndërtimit në vend. Të ardhurat u rritën me 17%, në 8.7 miliardë lekë.

Kompania është zgjeruar ndjeshëm në ndërtimet rezidenciale vitet e fundit, nëpërmjet ngritjes së disa komplekseve pranë zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet.

Sipas raportit vjetor, rreth 84% e të ardhurave ka ardhur nga aktiviteti i ndërtimit dhe shitja e mallrave, ndërsa pjesa tjetër, nga qendrat e biznesit.

“Salillari” raportoi një qarkullim vjetor prej 7.8 miliardë lekësh, me rritje të lehtë prej 5%, nga zgjerimi prej 60% vitin e mëparshëm.

Aktiviteti kryesor i shoqërisë është i orientuar drejt ndërtimit të veprave të infrastrukturës rrugore, të fituara nga prokurime publike apo nga operatorë të tjerë të tregut, si dhe në prodhimin e materialeve të ndërtimit dhe kryerjen e shërbimeve të tjera si aktivitete dytësore.

“Alb-Star” deklaroi një qarkullim vjetor prej gati 6 miliardë lekësh, me një rritje prej 21%. Nga dhjetori i vitit 2016, “Alb-Star” është pjesë e grupit holding “Finman”.

Sipas raportit, aktiviteti kryesor i shoqërisë është në fushën e ndërtimit, import-eksport i produkteve industriale, shitja me shumicë e ujit të pijshëm dhe industrial dhe shërbimet e transportit.

“Shoqëri e Thjeshtë INTEKAR – ASL” është një hyrje e re në listën e më të mëdhenjve të ndërtimit, me të ardhura prej 5.3 miliardë lekësh, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.

“G.P.G COMPANY”, që merret kryesisht me punë të lidhura me fonde publike, në ndërtimin e rrugëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, u rrit me 22%, në 4.2 miliardë lekë.

Sipas raportit të aktivitetit theksohet se rreziku kryesor i biznesit është arkëtimi me vonesë i punimeve të realizuara, nga ana e entiteteve publike, i cili e vë kompaninë ndonjëherë në vështirësi financiare.

 “Gjikuria” raportoi të ardhura 3.9 miliardë lekë, me tkurrje vjetore prej 19%, pasi kishte dyfishuar të ardhurat vitin e mëparshëm. Sipas të dhënave në raportin vjetor, tkurrja e të ardhurave erdhi si rrjedhojë e reduktimit të aktivitetit nga shitjet e godinave për tërmetin.

“Fusha sh.p.k.” raportoi të ardhura prej gati 3.3 miliardë lekësh, në nivele të njëjta me vitin e mëparshëm.

“Alb Building” deklaroi të ardhura 2.9 miliardë lekë, me zgjerim prej 7.8%. Kompania është përfshirë në disa projekte si segmenti rrugor Qukës – Qafë Plloçë, së bashku me tunelin dhe segmentin e rëndësishëm “Fier by Pass”.

 “Gjoka Konstruksion”, që vepron dhe si nënkontraktor i “Gjoka 87” në koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, kishte të ardhura prej 8 miliardë lekësh, me rritje gati 13%.

Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2022 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka punuar për zbatimin e kontratës për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit, si dhe me projekte të tjera për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Peshkopi; ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, loti 7; hartimin e projektit dhe zbatimin e punimeve për ndërtimin e Godinës (seksioni B) në Zonën Zhvillimore Kombinat; punime për ndërtimin e Kompleksit Partizani; ndërtimin e tunelit të Llogorasë në seksionin rrugor Orikum – Himarë etj.”.

Për të tretin vit radhazi, në listën e më të mëdhave është “Alesio-2014”, me aktivitet në ndërtimin dhe tregtimin e betonit, një shoqëri problematike, aktiviteti i së cilës është sekuestruar në gusht 2022 nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Kompania, e cila furnizonte me beton shoqëritë e ndërtimit, në vitin 2020 rriti të ardhurat 27% dhe në vitin 2021 u zgjerua me 53%, duke arritur qarkullim vjetor prej 2.6 miliardë lekësh. Në vitin 2022, kompania ka raportuar të ardhura prej 2.35 miliardë lekësh, me tkurrje 10%.

Kompania “A.N.K”, e cila ka fituar koncesionin për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, me një kontratë prej 256 milionë eurosh për 17 kilometra rrugë, e shumëdebatuar për vlerën e kripur, që ende nuk ka filluar, kishte të ardhura 2.1 miliardë lekë, me rënie vjetore 6%, pas zgjerimit të fortë prej 83% vitin e mëparshëm.

“INC S.P.A.” është një tjetër hyrje e re. Kompania italiane është e angazhuar në ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës. Të ardhurat e saj u dyfishuan në vitin 2022, në 2.5 miliardë lekë.

 

Daljet
“Trema Engineering 2”, një nga më të mëdhatë vitin e kaluar, ka dalë nga renditja e “Monitor 200”, pas rënies së ndjeshme të qarkullimit vjetor, nga 3 në 1 miliard lekë

“Curri”, që ishte një hyrje e re në 2021, pas zgjerimit të aktivitetit me 77%, në 2.4 miliardë lekë, si rrjedhojë e përfshirjes në punimet e rindërtimit pas tërmetit, ka dalë sërish nga lista, teksa të ardhurat e kompanisë zbritën në 1.6 miliardë lekë.

Degë e shoqërisë së huaj “STRABAG AG” është një dalje tjetër nga lista, pas rënies së të ardhurave me 82% në 401 milionë lekë.

 

Sektori rezidencial vijon rritjen
Vitet e fundit, sektori i ndërtimeve rezidenciale po njeh rritje të vazhdueshme, i nxitur nga shtimi i ndjeshëm i lejeve të ndërtimit, kanalizimi i parave informale në blerjen e pasurive të paluajtshme, si dhe blerjet nga të huajt, sidomos në zonat turistike.

Shtrenjtimi i vazhdueshëm i çmimeve të apartamenteve është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e qarkullimit vjetor të këtij segmenti.

Në vitin 2022, vlera e transaksioneve ekonomike në aktivitetin e pasurive të paluajtshme (Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime korente) arriti një rekord prej gati 120 miliardë lekësh, ose 1.1 miliardë euro.

Që prej vitit 2019, sektori po njeh rritje të fortë, që u përshpejtua sidomos në vitin 2022 dhe vijoi zgjerimin dhe në muajt e parë të 2013-s, duke u bërë një ndër udhëheqësit kryesorë të rritjes ekonomike.

Shtimi i blerjeve të pasurive të paluajtshme nga të huajt është një faktor tjetër që po e nxit sektorin.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 291 milionë eurove, në rritje me 52% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 21% të vlerës së përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar.

Tremujori i fundit i vitit solli edhe vlerën më të lartë të investimeve të huaja në këtë sektor, me 66 milionë euro, 32% më shumë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2021.

Të huajt po tërhiqen veçanërisht nga pasuritë e paluajtshme në bregdet, ku çmimet janë ende më të lira sesa në vendet e tjera të rajonit (Mali i Zi, apo Kroaci).

Interesi i lartë i të huajve për Shqipërinë po nxit dhe zgjerimin e investimeve dhe shitjeve në hoteleri e turizëm. Investitorët janë kryesisht të interesuar në projektet e vilave, të cilat kanë një kthim shumë më të lartë dhe të shpejtë sesa hoteleria.

“Green Coast”, pjesë e grupit BALFIN që po ndërton kompleksin turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug të vendit, kishte të ardhura prej rreth 5.6 miliardë lekësh në vitin 2022, sipas të dhënave nga kompania, që janë ende të paaudituara.

Shoqëria zhvillon projekte elitare në zonën e Jugut, me ndërtimin e fshatrave turistikë dhe hotelerisë.

“Concord Investment”, e cila hyri për herë të parë në listën e “Monitor 200”, në vitin 2021, pas katërfishimit të aktivitetit në 3.7 miliardë lekë, ka shënuar rënie të të ardhurave në 1.8 miliardë lekë në vitin 2022. Tkurrja e aktivitetit ka ardhur nga zëri “Të ardhura nga shitje objekti dhe aktive të mbajtura për shitje”.

Sipas raportit të aktivitetit, “Shoqëria ‘Concord Investment’ sh.p.k. është investitore në një sërë projektesh të rëndësishme në lëmin e pasurive të paluajtshme dhe në shërbimet e hoteleri-turizëm, duke qenë ndër të parat që kanë marrë statusin e veçantë të investitorit në hotelet me 5 yje.

Ky ka qenë dhe ndër objektivat kryesorë të shoqërisë për vitin 2022, dhe është arritur falë investimeve të shoqërisë dhe partnerëve të saj në ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje ‘San Pietro’ në Gjirin e Lalëzit, i cili ka pasur një ecuri të mirë për vitin 2022.

Shoqëria ka mbyllur investimin në qendrën rezidenciale, kompleksi ‘Fiori di Bosco’ në rrugën ‘Don Bosko’.

Një tjetër investim është ai në ndërtimin e një kompleksi ambientesh magazinimi në Kashar, i pari i llojit të tij në Tiranë, faza e parë e të cilit është mbyllur gjatë 2022”.

“Arlis Ndërtim” u bë në vitin 2022 ndërtuesi më i madh rezidencial (pa përfshirë “Gener 2”, që ka një aktivitet më të diversifikuar). Kompania raportoi të ardhura prej 5.5 miliardë lekësh, me rritje 75%. Kompania hyri në vitin 2021 për herë të parë në listën e “Monitor 200”, sipas të ardhurave.

Shoqëria po zhvillon projekte të shumta në Tiranë, sipas faqes së saj të internetit.

“Agi Kons” raportoi të ardhura prej 4.4 miliardë lekësh, me tkurrje vjetore 6%. Pjesa më e madhe e të ardhurave të shoqërisë vijnë nga punimet e ndërtimit për të tretë, sipas bilancit.

“Kontakt sh.p.k.” deklaroi një qarkullim vjetor prej 3.5 miliardë lekësh, në të njëjtin nivel me vitin e kaluar.

“Edil-Al-It”, pjesë e të njëjtit grup me “Concord Investment”, shënoi rënie të ardhurash me 6%, në 2.8 miliardë lekë.

Sipas raportit të aktivitetit, “gjatë vitit 2022, shoqëria ka vijuar aktivitetin e saj në përfundimin e ndërtimit të qendrës rezidenciale e ambientesh ‘Fiori Di Bosco’, në ndërtimin e objektit ‘Tirana Industrial Park’, kompleks ambientesh magazinimi i pari i llojit të vet në vendin tonë.

Projekti më i rëndësishëm për vitin 2022 vazhdon të jetë sipërmarrja e punimeve të ndërtimit të kompleksit rezidencial dhe strukturës hoteliere me 5 yje ‘San Pietro’ në Gjirin e Lalëzit, me autoritet investitor ‘Concord Investment’ sh.p.k. Shoqëria ka marrë përsipër realizimin e punimeve të ndërtimit në këtë projekt.

“Mane TCI”, pjesë e grupit BALFIN, e fokusuar në ndërtim, raportoi të ardhura prej rreth 4.8 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga kompania, që janë ende të paaudituara.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, qarkullimi vjetor u rrit me 53%. Shoqëria po zhvillon disa projekte paralelisht si ndërtimi i “Urban City”, resorti i “Green Coast”, etj.

“Kastrati Construction” vijoi rritjen e aktivitetit me 5%, në 2.4 miliardë lekë.

Një ndër projektet më të mëdha të shoqërisë është investimi dhe ndërtimi në një godinë polifunksionale “Down Town One”, me 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nën tokë, në bulevardin “Zhan Dárk”.

Në bilanc, kompania raporton se ka të drejta të arkëtueshme për klientë me afate të ndryshme prej 3.1 miliardë lekësh, midis 30-120 ditëve.

“NOVA Construction 2012” është një nga subjektet ndërtuese rezidenciale me rritjen më të fortë. Të ardhurat e saj arritën në 2.7 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 32%.

Vitin e fundit, kjo shoqëri është përfshirë në disa projekte të mëdha rezidenciale në vend dhe pritet të fillojë ndërtimin e “Malit të Tiranës”, kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit në kryeqytet.

“Geci” ka deklaruar 2.6 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rritje 9% por një pjesë të aktivitetit e ka të lidhur me hotelerinë.

“O R I O N”, me aktivitet në ndërtime civile e turistike, raportoi të ardhura prej 1.7 miliardë lekësh, me rritje rreth 26%.

Sipas burimeve zyrtare, kompania është e përfshirë në një sërë projektesh rezidenciale e komplekse banimi e vila, por së fundi po diversifikohet dhe në turizëm.

Sipas faqes zyrtare të internetit, së shpejti pritet të fillojë puna në një projekt në zonën e Dhërmiut, që pritet të jetë një ndërthurje e hotelerisë, vilave dhe apartamenteve premium.

Përkundrejt tendencës tkurrëse të popullsisë dhe rritjes së ngadaltë të të ardhurave zyrtare, sektori i ndërtimit rezidencial po vijon aktivitetin, sidomos në kryeqytet.

Në vitin 2022, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivel rekord në dekadën e fundit.

Ndonëse kërkesa nuk duket se premton shumë, kompanitë e ndërtimit nuk tërhiqen, sidomos në kryeqytet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi për banesa ishte rreth 1.8 milionë m2, niveli më i lartë rekord.

Ndërkohë që në qendër kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e tyre po rriten vazhdimisht, duke arritur 5 deri në 6 mijë euro/m², më të shtrenjtat në rajon, së bashku me Beogradin. Tendenca e ndërtimeve pritet të vijojë.

Në kontrast me rritjen e shpejtë të ndërtimeve, popullsia në Tiranë nuk po shtohet më me ritme aq të shpejta. Nga viti 2012 deri në 2018, të dhënat e INSTAT tregojnë se popullsia e Tiranës shtohej mesatarisht me 20 mijë persona në vit.

Por, që nga viti 2019, shtesa e popullsisë në Tiranë është zvogëluar ndjeshëm, teksa dhe kryeqyteti nuk i ka shpëtuar tendencës së emigracionit dhe plakjes graduale të popullsisë.

Në 2019-2020, kryeqyteti kishte 11 mijë banorë më shumë, shifër që u përgjysmua në vitet në vijim.

Në vitin 2022, popullsia në kryeqytet u shtua me vetëm 5.75 mijë persona, që është shtesa më e ulët historike, të paktën që nga viti 2011, kur INSTAT raporton të dhënat.

INSTAT raportoi se popullsia e Shqipërisë në vitin 2022 ka shënuar rënien më të madhe në tre vjet, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak.

Gjithsesi, rënia e popullsisë së vendit është kompensuar disi nga interesi i të huajve për të blerë, që është më i lartë në zonat bregdetare.

Prodhimi i çimentos, me rritje

Rritja e ndërtimit ka ndikuar pozitivisht dhe në industrinë e prodhimit të çimentos, që ka parë zgjerim dyshifror, e ndihmuar dhe nga shtrenjtimi i ndjeshëm i çmimeve, si rrjedhojë e krizës globale të shkaktuar nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainës.

Sektori u godit dhe nga shtimi i kostove nga çmimet e larta të energjisë, që ata e blejnë në tregun e lirë.

“Antea Cement” është kompania më e madhe në vend në sektorin e ndërtimit (total). Shoqëria raportoi një qarkullim vjetor prej 12 miliardë lekësh, me rritje 33.2%.

Sipas raportit të aktivitetit, ecuria ka ardhur “kryesisht prej kërkesës në rritje për produktet e Shoqërisë dhe rritjes së çmimeve me qëllim zbutjen e shtrenjtimit të lartë të kostos së energjisë elektrike dhe lëndës djegëse, si dhe nga aftësia e Shoqërisë për të përmbushur plotësisht nevojat e tregut jo vetëm brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht.

Aktivitetet e eksportit pësuan rënie krahasuar me vitet e mëparshëm me pjesëmarrje prej 24% të shitjeve totale kundrejt 33% në vitin 2021, kryesisht si pasojë e rritjes së shitjeve në tregun vendas.

Tregjet kryesore të eksportit janë vendet fqinje, si dhe vende të tjera të rajonit të Mesdheut.

“Fushë-Krujë Cement Factory” raportoi të ardhura rreth 4 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga renditja e tatimeve (kompania nuk ka dorëzuar bilancin e 2022).

“Colacem Albania” raportoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh, me rritje 46%. Sipas raportit të aktivitetit, kjo fabrikë aktualisht prodhon rreth 350,000 tonë çimento në vit dhe e ka filluar prodhimin në vitin 2013.

“Në vitin 2022, sektori i çimentos regjistroi nivele konsumi rreth 1.4 milionë tonë, një rritje prej 15%.

Krahasuar me vitin 2021, zgjerimi lidhet me ecurinë e mirë të sektorit të ndërtimit për shkak të rindërtimit pas tërmetit, shitjet e pasurive të paluajtshme për banesa private, rimëkëmbjen e fortë të punëve publike dhe në fund, investimet e huaja në sektorin e turizmit.

Tremujori i fundit ka dhënë shenja të stabilizimit. Importet e çimentos janë rritur, duke arritur në 200 mijë tonë, ndërkohë eksportet kanë rënë me 39%, e përkthyer në 580 mijë tonë.

Në këtë kontekst, “Colacem Albania” e mbylli vitin me një rritje të xhiros me rreth 46.4% në terma realë, me të ardhura totale rreth 30.7 milionë euro.

Volumi i shitjeve pati rritje të lehtë në terma të përgjithshëm, krahasuar me vitin 2021. Rritja 2.2% e shitjeve të realizuara brenda vendit kompensohet nga zgjerimi prej 12% i eksporteve”.

“Berdica Cement” është një hyrje e re në listën e “Monitor 200” të vitit 2022, pas rritjes së të ardhurave me 76%, në gati 3 miliardë lekë. Kompania ka aktivitet në distribucionin e ingredientëve dhe aditivëve për industrinë e materialeve të ndërtimit në Shqipëri dhe Kosovë.

“Një hov të madh zhvillimi i ka dhënë hyrja në treg e çimentos gri, si një produkt risi. Një arsye e rritjes së treguesve në vitin 2022 ka qenë edhe pasojë e shtrenjtimit të çmimeve në rang global, duke shtuar kostot në subjekt”, thuhet në raportin e aktivitetit.

 

Vit i mbarë për industrinë mbështetëse
Rritja e vazhdueshme e sektorit të ndërtimit ka nxitur dhe industrinë mbështetëse, që ka shënuar zgjerim të fortë për të tretin vit radhazi. Kthimi i vendit në një destinacion turistik ka nxitur aktivitetin e qiradhënies së apartamenteve e shtëpive private, nëpërmjet platformave online, si “Booking2 dhe “Airbnb”.

Sipas të dhënave nga “AirDNA” – e cila analizon statistikat për strukturat e akomodimit me qira ditore nga platforma “Airbnb”, në qershor 2023 kishte 15,375 banesa/apartamente të listuara për qira ditore në Shqipëri, me rritje prej 133% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhëna të tjera, sipas një kërkimi të “Monitor” në “Booking.com”, tregojnë se në këtë platformë, janë regjistruar 13,005 struktura me qira ditore.

Shtimi i ambienteve që jepen me qira ka qenë një shtysë për rinovimin e ambienteve, duke nxitur blerjet e materialeve të ndërtimit si qeramikë, apo hidrosanitare.

Më i madhi në treg është “Brunes”, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramikë dhe hidrosanitare, që ka parë zgjerim të të ardhurave me 30%, në 5.2 miliardë lekë.

“Billa” u zgjerua me 22%, në 3.8 miliardë lekë, duke u ngjitur në të dytën më të madhe në këtë segment. Në raportin e aktivitetit përmendet si faktor kryesor rritja e eksporteve, si rrjedhojë e avantazhit gjeografik. “Faktorë të tjerë janë edhe politikat e zgjerimit të qëndrueshëm kryesisht në tregun vendas, por edhe në rajon”.

DAST (Delta Adhesive Structural Tech) u zgjerua me 15% në 3.6 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria është angazhuar kryesisht në realizimin e disa kontratave për tregtimin me shumicë e pakicë të produkteve të ndryshme, si prodhime llaçi, përgatitje tullash, pajisje hidrosanitare me disa klientë kryesorë.

DELTA (tregti pllakash dhe pajisjesh hidrosanitare) kishte rënie të lehtë të ardhurash me 6%, në 3.3 miliardë lekë.

“Hidrosanitare Sinani” ka vijuar rritjen me 15%, në 3.3 miliardë lekë.

 

Rritja e shpejtë e prodhuesve të aluminit
Segmenti i prodhimit të profileve të aluminit po njeh rritje të shpejtë, i nxitur nga gjallërimi i sektorit të ndërtimit dhe investimeve në turizëm.

“Everest”, me aktivitet në prodhimin e profileve të aluminit, pas dyfishimit të vitit të kaluar, në vitin 2022 rriti të ardhurat me 50%, në 7.4 miliardë lekë, duke u bërë një ndër më të mëdhenjtë të lidhur me ndërtimin.

Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2022, shoqëria është angazhuar kryesisht në realizimin e disa kontratave për tregtim me shumicë e me pakicë të produkteve të aluminit me klientët kryesorë, Euro Tim D.o.o Kroaci, Lochmann Kabinen Itali, Everest Automotive sh.p.k. e të tjerë.

Prodhuesi i profileve të aluminit, “Alumil”, raportoi të ardhura prej 3.3 miliardë lekësh, duke shënuar rritje me 24%, një zgjerim dyshifror për të dytin vit radhazi.

“Sideral”, e fokusuar në tregtimin dhe riciklimin e metaleve, raportoi rënie me 37%, në 1.8 miliardë lekë.

 

Materialet elektrike

Segmenti i materialeve elektrike ndoqi ciklin e ndërtimit, duke shënuar rritje të ndjeshme për disa vite radhazi. Por, në vitin 2022, këto ritme janë ngadalësuar.

“4 A-M”, më e madhja në këtë segment, me fokus punime elektrike, tregtim me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, rezultoi me një qarkullim vjetor 4.2 miliardë lekë, me rënie të lehtë vjetore prej 3%.

“Albaelettrica” raportoi të ardhura 4.1 miliardë lekë, me rritje 6%. Sipas faqes zyrtare, Albaelettrica, është specializuar në tregtimin me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, civile, industriale, si dhe projektimin dhe instalimin e tyre që prej vitit 1993.

“ITE GROUP”, me aktivitet në import-eksport, materiale elektrike, është një hyrje e re, pas rritjes së të ardhurave me 57%, në 2.5 miliardë lekë.

“Sali Elektrik” deklaroi një xhiro prej 2.3 miliardë lekësh, me zgjerim 6%. Sipas faqes së saj të internetit, “Kompania Sali Elektrik u themelua ne vitin 1996 dhe ka një eksperiencë 25 vjeçare në sektorin e tregtisë dhe shpërndarjes të materialeve elektrike dhe të ndriçimit”.

Sali Elektrik ka në total katër magazina në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë si dhe një rrjet të gjerë përfaqësuesish në të gjithë Shqipërinë./Monitor