AKTUALITET, 2 Mars 2023, 12:26

Investimet në energji, anketa: Bizneset i njohin mundësitë por nuk kanë para

Investimet në energji, anketa: Bizneset i njohin mundësitë por

“Më mirë të dish sesa të kesh”? Kjo shprehje mund të vlejë në shumë raste por jo kur je biznes.

Një anketë e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve zbulon se bizneset kanë njohuri të mira mbi mundësitë që ofron tregu si përsa i përkon eficiencës ashtu edhe alternativave të prodhimit por jo të gjithë kanë pasur mundësi të investojnë për shkak të kufizimeve financiare.

Kriza e energjisë nxiti shumë subjekte të gjenin formal alternative për të ulur faturat e kripura për shkak të çmimeve të larta por duket se  jo të gjithë janë kanë dalë.

Kështu të pyetur nëse e kanë menduar mundësinë e investimit në fushën e eficiencës së energjisë shumica janë përgjigjur se e njohin këtë por kostot e larta e kanë bërë të pamundur.

“Biznesi ka informacion në lidhje me opsionet e investimit në fushën e efiçencës në energji (9 në 10 kompani), por rreth 64% deklarojnë se kostot e larta i kanë ndaluar ata të investojnë 22% e tyre deklarojnë se kanë investuar (50% janë investitore femra), por vetëm 15% janë të kënaqur me rezultatet Kryesisht Hoteleri dhe Industri përpunuese” thuhet në anketë.

E njëjta panoramë vlen edhe kur bizneset pyeten për investimet në forma alternative të prodhimit të energjisë si panele, energji nga era apo biomassë. Por edhe në këtë rast sërish kufizimin e sjell mundësia financiare.

“Biznesi ka informacion në lidhje me opsionet e investimit në burime alternative të prodhimit (në 95% të tyre) të energjisë, por rreth 64% e tyre deklarojnë se kostot e larta i kanë ndaluar ata të investojnë 25% e tyre deklarojnë se kanë investuar (37% janë investitore femra), por vetëm 17% janë të kënaqur me rezultatet Kryesisht Hoteleri dhe Industri përpunuese” nënvizon Sekretariati i KI.

Të pyetur rreth arsyeve pse vendosin që të bëjnë një investim në energji shumica e lidhin me uljen e kostove dhe pas saj me sigurinë e furnizimit.

“Në vendimin e kompanive për investim në eficiencë/prodhim energjisë duket se ulja e kostove dhe rritja e sigurisë së furnizimit me energji janë faktorët determinant Për sipërmarrëset femra, faktorët më determinant janë ulja e kostove dhe vlera e investimit fillestar” thuhet në anketë.

Sa i takon shqetësimeve kryesore bizneset ngrejnë pjesën e ndërprerjeve të energjisë të cilat sjellin dëm ekonomik për ta ndërkohë që sa i takon institucioneve më familjare për mbështetjen e projekteve të investimit bizneset cilësojnë bankat. /Monitor