AKTUALITET, 22 Gusht 2024, 20:39

Erisa Xhixho: Ligji për të legalizuar biznesin e plehrave duhet ndaluar me çdo mjet

Erisa Xhixho: Ligji për të legalizuar biznesin e plehrave duhet

Nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se ligji për të legalizuar biznesin e plehrave duhet ndaluar me çdo mjet.

Postimi i Erisa Xhixhos:

Ligji për të legalizuar biznesin e plehrave duhet ndaluar me çdo mjet!
Shqipëria nuk do të kthehet në koshin e mbetjeve të qeverisë, që ka prioritet plehrat.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik ligjin e ri për importin e mbetjeve.

Ky ligj që duket qartë se është i porositur, si shumë ligje të tjera që qeveria i ka qepur si kostum për klientët e saj dhe ka nxituar t’i kalojë me shpejtësi, duke injoruar kundërshtimet e opozitës dhe shoqërisë civile.

Përpjekja e saj për ta shndërruar Shqipërinë në koshin e mbetjeve të Europës ka dështuar dy herë dhe kjo është tentativa e tretë.

Pasi e ka shndërruar vendin në lavatriçe të parave të krimit e korrupsionit, ku ndërtohet pa ndalur dhe mijëra apartamente janë bosh, kjo qeveri po përpiqet t’u hapë derën mbetjeve të Europës.

Në vend të politikave që ndalin shpopullimin dhe incentivojnë të rinjtë e familjet e reja , qeveria e Edi Ramës po i nxit të largohen edhe ata që deri tani nuk e kanë pasur mundësinë të ikin.

Qytetarët shqiptarë që paguajnë çdo ditë për inceneratorë fantazmë nuk do ta pranojnë shndërrimin e Shqipërisë në landfill.
Ligji i ri për menaxhimin e mbetjeve nuk sjell asgjë të re.

Ai ka qëllim të vetëm të qeverisë Rama: biznesin me plehrat.

Ky ligj është tentativa e radhës pas ligjit të rrëzuar në vitin 2017, i cili u bllokua falë këmbënguljes së grupit parlamentar të LSI-së dhe kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, sot presidenti i Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta.

Ndaj ne do ta refuzojmë me forcë këtë ligj të qeverisë së plehrave, sepse vetëm kështu mund të mbrojmë shëndetin e fëmijëve tanë dhe vetë Shqipërinë!