AKTUALITET, 8 Shtator 2023, 17:18

Emrat e rinj të ministrave në tryezën e Begajt, Parlamenti mblidhet të hënën për ndryshimet në qeveri

Emrat e rinj të ministrave në tryezën e Begajt, Parlamenti

Që prej 5 shtatorit, propozimet e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet në qeveri janë në tryezën e presidentit të Republikës. Emrat e ministrave të rinj u dorëzuan në Presidencë, pak pasi delegacioni presidencial shqiptar ishte nisur për një vizitë zyrtare në Kazakistan.

Sipas afateve kushtetuese, Presidenti ka kohë 7 ditë për të firmosur dekretet e shkarkimit dhe të emërimit të ministrave, ndaj po pritet që kreu i shtetit të kthehet nga Kazakistani që të firmosë emrat e 7 ministrave të rinj në kabinetin e Ramës sipas nenit 98 të Kushtetutës.  

Deputetët janë njoftuar për një seancë të posaçme parlamentare ditën e hënë më 11 shtator, që do të ketë në rend të ditës vetëm votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës. Ditën që nisi sezoni politik, Edi Rama lajmëroi ndryshimet në qeveri, të cilat vijnë plot një vit pasi po me propozim të kryeministrit nga qeveria u largua Arben Ahmetaj dhe në vend të tij u vendos Belinda Balluku.