AKTUALITET, 5 Janar 2022, 22:12

Edmond Spaho: Shtëpia e demokratëve është kthyer në bunker. PD nuk është pronë e Lulzim Bashës!

Edmond Spaho: Shtëpia e demokratëve është kthyer në

Deputeti demokrat Edmond Spaho tha se në zyrat e Partisë Demokratike nuk hyn dot, sepse ka hekura në dritare dhe dyer të mbyllura.

Ai e quajti “blindimin” e PD-së veprim të njerëzve që janë në “dëshpërim maksimal dhe nuk dinë se çfarë bëjnë”.

“Më duket veprim i jashtëzakonisht i turpshëm, i rëndë. Të shkosh në PD…ne jemi deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Unë nuk di që jemi përjashtuar. Nuk kanë as kurajon të thonë se po e blindojmë selinë sepse nuk duam ta lëshojmë dhe nxjerrin gënjeshtra sikur po bëjnë punime në seli. Është kthyer në bunker, sa kohë ka qenë shtëpia e  gjithë demokratëve”, tha Spaho.

Gjatë emisionit “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, ai tha se “blindimi” i PD-së i duket veprim i njerëzve që janë në “dëshpërim maksimal”.

Ai tha se partia është është bashkim vullnetar i njerëzve rreth disa ideve të caktuara.

“Ajo nuk është pronë e Lulzim Bashës, është pronë e anëtarëve të Partisë Demorkatike”, u shpreh Spaho.

Sot ishte afati i fundit qe Komisioni i përkohshëm i Rithemelimit të PD-së i kërkoi Lulzim Bashës të lirojë zyrën, me pretendimin se Kuvendi i mbajtur me 11 dhjetor e ka shkarkuar atë.

Tensioni mes palëve nisi një ditë më parë me akuzat që erdhën nga mbështetësit e Berishës se  po vendosen dyer të blinduara në PD.

Por, Partia Demokratike deklaroi se bëhet fjalë për disa “punime mirëmbajtjeje të selisë këtë fillimviti në valën e riorganizimit të strukturave qendrore të partisë”.