AKTUALITET, 14 Nëntor 2025, 10:12

E paralajmëroi dje, ish-kryeministri Berisha nuk paraqitet në SPAK për t’u marrë në pyetje për 21 janarin

E paralajmëroi dje, ish-kryeministri Berisha nuk paraqitet në SPAK

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit sot në SPAK në ora 10:00 për t’u marrë në pyetje nga prokurori i çështjes Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e 4 protestuesve në bulevard, të cilët u qëlluan me plumba nga godina e Kryeministrisë më 21 janar 2011.

Sipas SPAK fletëthirrja është dërguar në tre adresa, në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e Partisë Demokratike dhe kjo ishte thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, sipas organit të akuzës, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur dhe për këtë arsye, SPAK lëshoi një fletëthirrje të re me datë 7 nëntor, këtë herë në të gjitha adresat zyrtare të Berishës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e kishte paralajmeruar nje dite me pare teksa tha se se do ti përgjigjet thirrjes së drejtësisë sa herë që ta kërkojnë. Por i pyetur nëse do të paraqitet nesër  për dosjen e 21 janarit, kreu i PD tha:  “Por ka vetëm një kusht, që unë të marr thirrjen.

Ata që përdorin këtë për propagandë për të mbuluar skandalin Rama-Balluku të tunelit të Llogarasë apo skandalin e aeroportit të Vlorës ata tregojnë se janë shërbëtorë mjeranë të një bandë që vjedh ditë e natë qytetarët shqiptarë”.

Pyetje: A do të paraqiteni nesër në SPAK për dosjen e 21 janarit?

Berisha: Mund t’u pohoj atë që kam thënë, i jam përgjigjur çdo thirrje të organeve të drejtësisë. Do t’i përgjigjemi. Nuk ka koment. Nuk mund të ketë pyetje ‘a do i përgjigjem?’ Por ka vetëm një kusht, që unë të marr thirrjen. Ata që përdorin këtë për propagandë për të mbuluar skandalin Rama-Balluku të tunelit të Llogarasë apo skandalin e aeroportit të Vlorës ata tregojnë se janë shërbëtorë mjeranë të një bandë që vjedh ditë e natë qytetarët shqiptarë.

Njoftimi duhet të vijë siç ka ardhur me dhjetëra njoftime të tjera. Kurse përdorimi i kësaj është akt i shëmtuar i Altin Tropolinit, shërbëtor, mercenar i regjimit të Ramës që kujton se mund të mbulojë me zhurma të tilla krime të Ramës dhe Ballukut. Asnjëherë mos më pyesni a do shkosh, unë do shkoj në cdo rast që të thirrem për cdo problem që të thirrem nga organet e drejtesise!