AKTUALITET, 13 Nëntor 2025, 23:31

Deklarata e Pacollit, avokati mohon që aksionet e aeroportit u ndanë në zyrën e ministrisë

Deklarata e Pacollit, avokati mohon që aksionet e aeroportit u ndanë

Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN Tv, kanë qenë të ftuar avokatët e aksionerëve në aeroportin e Vlorës, të cilët tashmë janë në konflikt. 

Avokati që përfaqëson palën e Pacollit mohoi që ky i fundit të kishte deklaruar se tenderi është negociuar apo vendosur në zyra ministrie. 

Biseda: 

Ylli Rakipi: Ka dy versione për historinë se si u ngjiz ky koncesion i aeroportit të Vlorës. Behgjet Pacolli thotë se koncesioni është dhënë në zyrën e ministrisë, ku Pacolli ka qenë bashkë me turqit, ndërsa Ademi thotë se kanë qenë Pacolli me Ademin që vendosën të bashkojnë kompanitë për të hyrë në tender dhe rrugës kanë marrë edhe turqit, për të plotësuar kriterin teknik. Si qëndron e vërteta? 

Ili Gërdupi: Zoti Pacolli nuk thotë se koncesioni është ngjizur në zyra ministrie, por thotë ka marrë ftesë nga YDA për të bashkëpunuar. Janë takuar dhe kanë biseduar, është standarte, ndodh edhe në botë, përpara se të merret tenderi mund të konsultohen edhe me zyrtarë publikë. Janë takuar me 2A group, janë dakordësuar që YDA do të kishte 40% të aksioneve, 58% për Mabco dhe 2% për 2A group. Pra jo se kjo është ndarë në zyrën e ministrit.

Pano Soko: Nëse i referohemi deklaratës publike, tekstualisht ka thënë, kemi vajtur me YDA te zyra e ministrit, aty është ndjerë edhe i fyer sepse nuk po konsiderohej, por i ka thënë se në fillim po diskutonin për koncesionin, turku i ka thënë Pacollit do të marërsh 40% ti dhe unë 60%, por më pas turku ka thënë merr ti 60% dhe unë 40%. Kjo është thënë. Ju mund ta ripunoni.

Ili Gërdupi: Në restorant ka ndodhur kjo ndarje, por pas kthimit nga Kosova ka thënë ribëjmë këtë.

Pano Soko: Pra nuk është pritur të bëhet tenderi. Aktorët nuk takohen me autoritetin kontraktor, është e jashtëligjshme.

Ili Gërdupi: Ndodh në dhjetëra vende.

Pano Soko: Nëse takon autoritetin kontraktor dhe bie dakord për përqindje, kjo quhet shkelje e barazisë në tendera. YDA dhe Mabco nuk po konkuronin me njëri tjetrin ishin bashkë në garë me palë të tjera. Ata e ndajnë me njëri tjetrin përqindjen përpara se të hyjnë në një garë.

Ili Gërdupi: Dokumenti që ndan përqindjet është dokument që dorëzohet dhe dakordësohet.

Pano Soko: Nuk është problem ndarja e përqindjrve por si erdhi ndarja e përqindjeve. Tenderi është fituar nga ofertuesi i dytë. Tenderin e ka fituar ofertuesi tjetër.