TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndërsa Arben Kraja pritet të dorëzojë zyrtarisht detyrën si kreu i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe në 19 dhjetor të zgjidhet pasuesi, dy prokurorë janë në garë për t’i zënë vendin: Klodian Braho dhe Edvin Kondili.
Dy kandidatët kanë 45 ditë afat për të dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë platformat e drejtimit të institucionit kryesor të drejtësisë, për një mandat 3-vjeçar.
Burime Brenda sistemit të drejtësisë thanë për TPZ.al se Klodian Braho edhe pa “platformë”, është përfolur prej muajsh si pasuesi i Krajës, për të vetmin fakt: ka në dorë dosjen e inceneratorëve, sipas padisë së dorëzuar nga ish-LSI, sot Partia e Lirisë, dhe fatin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që ka firmosur pa vendim të këshillit bashkiak dhe në emër të bashkive të tjera të qarkut të Tiranës, kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Veliaj akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij duke marrë edhe ato të këshillit bashkiak, siç e tregon edhe shkresa, me numër protokolli 9275, datë 27.03.2017, ku jepej miratimi për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, me një vlerë prej 128 milionë eurosh nga Kompania “Integrated Energy BV” e Klodian Zotos, vepër që do të ndërtohet duke u financuar përmes një tarife të lartë për ton për djegien e mbetjeve nga njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Tiranë.
Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Veliaj nuk e kishte kompetencën për të miratuar projektin, pasi ai vetëm propozon buxhetin e bashkisë, i cili miratohet nga Këshilli Bashkiak dhe për më tepër u kërkua që të jepej miratimi i katër bashkive të qarkut të Tiranës (Vora, Kamza dhe Kavaja) që do të digjnin mbetejet e tyre, kundrejt pagesave për inceneratorin.
Shumica, ashtu si dhe në rastet e mëparshme, kërkon një prokuror "luajal", siç e ka treguar veten Braho me dosjet e tjera, që Veliaj të vijojë drejtimin e bashkisë së Tiranës, pas bekimit të kupolës së PS-së edhe për një mandat të tretë.
Braho, si prokuror, edhe më pare, ka kaluar nëpër duar dosje të rëndësishme, shumica të mbyllura, ose të transferuara për moskompetencë për t’u hetuar.
Në maj 2018, Braho ishte prokurori që u mor me dosjen ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i akuzuar për “Mosdeklarim të të hollave në kufij”, “Pastrim parash”, “Shpërdorim detyre” dhe fshehje të pasurisë. Ish-prokurori u dënua me 2 vite burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike.
Në korrik 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda transferoi në Dibër dosjen 184, për manipulimin e dyshuar të votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme vendore të 11 shtatorit 2016 në bashkinë e Dibrës, ku përfshiheshin zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste deri te kryeministri Edi Rama, sipas përgjimeve të publikuara nga tabloidi gjerman “Bild”. Prokurori i çështjes ishte Klodjan Braho, që tre vite pasi dosja qëndroi te Prokuroria e Krimeve të Rënda, shpalli moskopetencën për hetimin e mëtejshëm të dosjes me numër 184/2016.
Në maj 2020 Klodian Braho mori në dorë dosjen e tenderave sekretë të kryer nga ministria e Shëndetësisë në kohën e pandemisë, dhe sipas PD-së, bëhej fjalë për tenderat me procedurë direkte për të prokuruar materialet që i duheshin shëndetësisë për periudhën e pandemisë nga mesi i muajit mars dhe deri në maj 2020, ku pëflitej për abuzime të shumta, ndërsa vendi luftonte me “armikun” imagjinar të COVID-19.