AKTUALITET, 16 Shtator 2022, 10:56

Pas takimeve në KQZ për financimet politike ruse, Yuri Kim shkon në Kuvend. Ja me kë do të takohet

Pas takimeve në KQZ për financimet politike ruse, Yuri Kim shkon

Një ditë pasi takoi komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike, ambasadorja e SHBA-ve në vendin tonë ka shkuar sërish në kryesinë e Kuvendit, për t’u takuar me kryetarin e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla dhe atë Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Takimi ka nisur rreth orës 10:30, ndërsa ashtu si një ditë më parë mësohet se mesazhet do të jenë për financimin rus të partive politike.

Yuri Kim, zhvilloi dje një takim me kryetarin e KQZ-së, Ilirian Celibashi, si dhe përfaqësues të disa partive politike.

Takimi u zhvillua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku fillimisht u takua kryekomisioneri Celibashi dhe ambasadorja Kim e më pas me radhë erdhën edhe përfaqësuesit politikë. Në përfundim të diskutimit, ambasada e SHBA-së në Shqipëri ndau për publikun detajet nga takimi.

“Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, u takua me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse, si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet antikorrupsion.

Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.