AKTUALITET, 3 Prill 2023, 20:02

"Dy individë nuk janë asgjë", Gjinushi për Artan Fugën dhe Ledi Shamkun: Nuk përfaqësojnë komunitetin e akademikëve apo universiteteve

"Dy individë nuk janë asgjë", Gjinushi për Artan

 

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi nuk ka ngurruar sot të bëjë etiketime apo zerojë kontributin e dy njerëzve të letrave dhe mësimdhënies në Shqipëri. Nga Shkodra ai i quajti dy individë akademikun Artan Fuga dhe gjuhëtaren Ledi Shamku që nuk përfaqësojnë komunitetin e akademikëve apo universiteteve.

“Ngatërroni Universitete të tëra, komunitete të tëra shkencore me një apo dy individë. Një apo dy individë nuk janë asgjë. Po s’të shau dhe i ligu duhet të shohësh se nuk je mirë”, ka deklaruar ai.

Gjinushi kritikoi opozitën për akuzën e saj se po kërkohet një zgjatje e mandatit të tij përmes propozimit të ligjit nga dy deputetë të PS.

“Reforma nuk ka lidhje me persona të veçantë, pra ne nuk reformojmë dot individë, ne reformojmë institucione, deputetët do mbajnë qëndrimin e tyre, por nëse nuk të pëlqen qëndrimi quhesh pjesë e tjetrit. Shumica e deputetëve janë njerëz me kulturë e logjikë normale, njohin ligjet, rregullat dhe absolutisht ligjin e Akademisë do e përputhin me ligjet ndërkombëtare”, tha Gjinushi.

Deklaratat Gjinushi i bëri pas firmosjes së një marrëveshje bashkëpunimi me universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.