AKTUALITET, 12 Maj 2023, 13:06

Arrestimi i Fredi Belerit, kush është prokurorja që ngriti akuzën dhe çfarë deklaronte PD për të dhe të atin në Kavajë

Arrestimi i Fredi Belerit, kush është prokurorja që ngriti
Matilda Peza

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi sot në lidhje me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri, mbrëmë natën vonë. Rama theksoi se beteja politike e Partisë Socialiste me kandidatin Beleri nuk ka asnjë lidhje me hetimet dhe përfundimet e prokurorisë.

“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!”, tha Rama.

Sipas “Boldnews.al”, veprimet proceduriale të policisë janë mbështetur nga prokurorja e Vlorës, Matilda Peza, që është emëruar kohët e fundit prokurore në Vlorë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. 

Matilda Peza ka mbajtur në vitin 2018 pozicionin e drejtoreshës së Hipotekës së qytetit të lindjes, Kavajë.

Babai i saj, Aqif Peza, ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Kavajës me logon e Partisë Socialiste. Partia Demokratike, në një deklaratë publike në vitin 2018, akuzonte drejtoreshën e asaj kohe të Hipotekës së Kavajës dhe sot prokurore në Vlorë, për ndërhyrje në një hetim penal që lidhej me tjetërsimin e tokave në Spille.

“Drejtoresha e Hipotekës, Matilda Peza, po u bën presion punonjësve të Hipotekës për të mbuluar aferat korruptive që janë bërë atje gjatë periudhës kur ky institucion drejtohej nga familja e saj, babai Aqif Peza, i dënuar me vendim gjykate për shpërdorim detyre dhe djali i tezes, Asim Arkaxhiu, aktualisht nën hetim për skandalin e Spillesë”, thuhej në deklaratën e Partisë Demokratike në 26 shkurt 2018.

Më pas Matilda Peza përfundoi Shkollën e Magjistraturës dhe në 12 korrik 2022 u emërua “magjistrate” nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Më tej ajo u emërua si prokurore në Vlorë, qytet ku vëllai i saj, Enkel Peza, mban detyrën e kryetarit të Gjykatës.