TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për ishullin e Sazanit që do t'i jepet dhëndrit të Trump për të investuar.
Tomorri tha se kompania ka marrë status investitor strategjik dhe kjo e detyron shtetin të sigurojë infrastrukturën, çka mund të kushtojë 300-400 milionë euro para nga buxheti i shtetit. Kompania gjithashtu përjashtohet nga disa taksa.
"Është një projekt që në ditët e fundit të vitit të kaluar, mori statusin e investitorit strategjik dhe në dokument janë parashikuar edhe hapat që do të ndiqen. Është ngritja e një grupi pune ndërministror, që do të negociojë me kompaninë e zotit Kushner, termat dhe mënyrën se si shteti do të hyjë në marrëveshje me kompaninë. Flitet për një partneritet ku do të jetë pjesë edhe qeveria shqiptare, stil i ngjashëm me Durrësin dhe Alabbar. Këtu nuk dihet sa do të jetë përqindja dhe si do të hyjë Shqipëria. Grupi i punës do të hyjë pikërisht për këtë, se çfarë do të marrë shteti dhe çfarë do të japë.
Në rastin konkret, jepet toka, janë 46 hektarë gjurmë ndërtimi. Sipërfaqja e resortit është më e madhe. Parashikohet ndërtimi i një hoteli, flitet për markën AMAN.
Aty në zonën ku do të ndërtohet projekti, ka qenë bazë ushtarake dhe një pjesë e mirë ka qenë në planin e përhapjes së ushtrisë. Ka patur dekret të Presidentit, që nuk u bë publik askund, por doli më vonë, që zoti Begaj ka hequr nga plani i përhapjes territorin ku bie projekti. Pra hapat procedurialë kanë filluar dhe vijojnë negociatat për realizimin e tij.
Cili është detyrimi që i lind shtetit nga dhënia e statusit strategjik?
E para merr tokën falas, por nuk është problemi i tokës më shumë, apo kostoja më e madhe. Problemi është infrastruktura, sepse statusi detyron qeverinë të çojë infrastrukturën, ujin, energjinë dhe çdo shërbim utilitar.
Duke qenë se bëhet fjalë që do të kalohet ujësjellësi në det dhe linjat e energjisë, është kosto shumë e madhe, mund të kërkohen 300-400 mln euro, që duhet ti bëjë shteti. Pastaj vijmë te debati, cfarë fitojmë ne? Këtu ka debat të madh, por një nga tezat është ajo që e ka thënë ish ministri grek Varufakis, që e krahason me Hawaii, ku është vend turistik dhe ndodh që kompanitë e mëdha kanë marrë resortet dhe vendasit, jetojnë në lagjet e varfëra, i marrin në mëngjes me furgon, punojnë te hotelet e japonezëve, gjermanvë, amerikanëve dhe në darkë i çojnë në shtëpi te ghettot.
Në këtë pikëpamje, termat e përfitueshmërisë për publikun janë shumë të dyshimta në rastin më të mirë. Statusi i jep kompanisë privilegje fiskale, e përjashton 10 vite nga tatim fitimi, etj. Krijohet një offshore ku do jetojnë ca të pasur, që mund të jenë nga Shqipëria apo nga bota dhe do të jetë një hotel, i përjashtuar nga taksimi. Kur ti bën balancën e kostove dhe përfitimeve, duket sikur më shumë peshon nga kostot. Pastaj është debati i sigurisë kombëtare, që mund të cënohet operacionaliteti i ushtrisë, por ky debat më duket pa vlerë, sepse Shqipëria është më i sigurtë kur ka një invetim amerikan brenda", tha Tomorri.