TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zohran Mamdani, shënoi një fitore historike si kryebashkiak, duke shembur establishmentin në New York. Ai do të jetë kryebashkiaku më i ri që nga fundi i shekullit të 19-të, si dhe i pari mysliman që udhëheq qytetin.
Në moshën 34-vjeçare, Mamdani nisi garën vitin e kaluar me pak njohje publike, burime të kufizuara financiare dhe pa përkrahje zyrtare nga strukturat e Partisë Demokratike. Kjo e bën fitoren e tij ndaj ish-guvernatorit Andrew Cuomo dhe kandidatit republikan Curtis Sliwa edhe më të jashtëzakonshme.
Më shumë se një sukses personal, Mamdani shihet si përfaqësues i brezit të ri të politikanëve progresistë që e majta e Partisë Demokratike ka kërkuar prej kohësh. I ri dhe energjik, ai shfrytëzon me lehtësi platformat e mediave sociale për të komunikuar me publikun.
Origjina e tij etnike pasqyron larminë që karakterizon elektoratin demokrat. Ai ka mbajtur qëndrime të qarta dhe të palëkundura në mbështetje të politikave progresiste, përfshirë kujdesin falas për fëmijët, zgjerimin e transportit publik dhe rolin aktiv të shtetit në ekonominë e tregut të lirë.
Ndërsa Mamdani është portretizuar nga disa si ekstremist, pjesa më e madhe e platformës së tij politike është në fakt tipike për socialdemokracinë tradicionale: ai synon të rrisë pagën minimale në 30 dollarë në orë, të rrisë taksat për shtresat me të ardhura më të larta, të bëjë transportin me autobus falas, të ofrojë kujdes universl për fëmijët dhe të zgjerojë strehimin me çmime të përballueshme.
Propozimet e tij më të guximshme janë ndoshta ngrirja e qirave për rreth dy milionë banorë që jetojnë në banesa ku tashmë ekzistojnë ligje për stabilizimin e qirasë.
Një nga idetë më novatore të Mamdanit është krijimi i një rrjeti dyqanesh ushqimore në pronësi të bashkisë në të pesë qarqet e Nju Jorkut, duke zgjeruar modelin ekzistues të gjashtë dyqaneve publike. Blerjet në këto dyqane do të ishin më të lira për konsumatorët.
Ai gjithashtu dëshiron që transporti publik me autobusë të jetë falas, aktualisht, tarifa për shumicën e pasagjerëve është 2.90 dollarë dhe synon t’i bëjë linjat më të shpejta.
Në axhendën e tij përfshihet gjithashtu ulja e kostos së kujdesit për fëmijët, duke u bazuar në përvojat e miqve që i kanë treguar se po largohen nga qyteti për shkak të shpenzimeve të larta.
Për të financuar këto plane, Mamdani propozon rritjen e tatimit mbi fitimin e korporatave në 11.5%, duke e barazuar me nivelin më të lartë të Nju Xhersit. Aktualisht, norma më e lartë e këtij tatimi në Nju Jork është 7.25%.
Ai gjithashtu dëshiron të vendosë një taksë shtesë prej 2% për banorët e Nju Jorkut që fitojnë më shumë se 1 milion dollarë në vit. Fushata e tij ka deklaruar se këto rritje do të sillnin rreth 9 miliardë dollarë të ardhura, por mënyra e saktë se si do të mblidheshin këto fonde mbetet e paqartë.
“Sot kemi folur me një zë të qartë: shpresa është gjallë,” u tha Mamdani mbështetësve të tij pas fitores në garë.
Ndryshe nga kundërshtarët e tij më të vjetër dhe të konsoliduar politikisht, freskia e perspektivës, energjia e rinisë dhe platforma e tij e majtë tërhoqën dhe në fund fituan zemrat e votuesve që kërkonin një figurë të re në skenën politike.
“Nëse ka dikush që mund t’i tregojë një kombi të tradhtuar nga Donald Trump se si ta mposhtë atë, është qyteti që e lindi atë,” tha ai. “Dhe nëse ka ndonjë mënyrë për ta tmerruar një despot, është duke shkatërruar vetë kushtet që i mundësuan atij të grumbullojë pushtet", tha Mamdani pas fitores.