TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Besian Xhixha, i arrestuar që në qershor të 2021, si pjesë e grupit kriminal që ekzekutoi vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia në Durrës, njeriu i cili konsiderohet gjithashtu si një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Nuredin Dumani, këmbëngul që SPAK t’i japë statusin e të penduarit, pasi pretendon se do të rrëfejë krime të tmerrshme të cilat i penduari i drejtësisë i fsheh.
Në një nga seancat e fundit të zhvilluara në gjykatën e Posaçme Kundër korrupsionit e Krimit të Organizuar, për ecurinë e hetimeve për të dyshuarit e operacionit “Plumbi i Artë”, Xhixha e ka ripërsëritur kërkesën për tu marrë në mbrojtje, raporton News24.
Ai ka shkuar edhe më tej, teksa ka deklaruar që nëse, prokuroria do ta kishte marrë dëshminë e tij, nuk do të kishte kaq shumë të vrarë në Fushë Krujë e Fushë Kuqe, mesa duket duke nënkuptuar ekzekutimet mafioze të njerëzve të afërt të Ervis Martinaj dhe zhdukjen pa gjurmë të të shumëkërkuarit të drejtësisë.
Besian Xhixha dhe miku i tij, Enver Diva u arrestuan me urdhër të SPAK më 17 qershor 2021, pasi i penduari i drejtësisë, Klevis Alla i implikonte si bashkëpunëtorë në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në prill të 2020.
Ata akuzohen se kanë siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e dy vëllezërve, ndërsa kanë qenë të parët e kontraktuar për vrasjen e tyre nga Nuredin Dumani dhe Talo Cela. Plani dështoi pasi Enver Diva u prek nga Covid.
Por pas arrestimit të Nuredin Dumanit, ky i fundit pasi mori statusin e të penduarit e rëndoi situatën penale të Xhixhës, pasi e implikon në krime të tjera të rënda.
*Aplikacionin e ri të TPZ mund ta shkarkoni në App Store dhe Google Play duke ndjekur linket e mëposhtme!
ANDROID: https://play.google.com/store/search?q=tpz.al&c=apps&hl=en&gl=US
APPLE (IOS): https://apps.apple.com/it/app/tpz-al/id1643730306?l=en