AKTUALITET, 30 Shtator 2022, 19:04

Begaj pret Senatoren amerikane! Nga marrëdhëniet SHBA-Shqipëri te sulmet kibernetike, ja çfarë diskutuan

Begaj pret Senatoren amerikane! Nga marrëdhëniet SHBA-Shqipëri te

Presidenti Bajram Begaj ka pritur sot në një takim Senatoren amerikane Jeanne Shaheen, gjatë vizitës së saj zyrtare në vendin tonë.

Senatorja Shaheen shoqërohej në këtë takim nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, si dhe përfaqësues nga Senati amerikan.

Presidenti Begaj vlerësoi vizitën e Senatores Shaheen në Tiranë si vijim i shprehjes së vëmendjes dhe interesit të lartë të SHBA-së për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Begaj nënvizoi se pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë si dhe kërcënimeve e sfidave të reja  me të cilat po përballet bota dhe rendi aktual botëror, nevoja e një bashkëpunimi e koordinimi sa më të ngushtë e në të gjitha nivelet bëhet edhe më i domosdoshëm.

Presidenti shprehu mirënjohjen edhe për ndihmën e dhënë nga agjencitë e specializuara të Shteteve të Bashkuara në përballimin e sulmeve kibernetike të aktorëve të lidhur me agjencitë shtetërore iraniane, që synuan dëmtimin e infrastrukturës së shërbimeve qeveritare online dhe destabilizimin e vendit.