AKTUALITET, 27 Shkurt 2024, 09:22

Do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës apo SPAK? Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot çështjen e “21 janarit”

Do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës apo SPAK? Gjykata e Lartë

Dosja ’21 janari’ do të shqyrtohet sot në Gjykatën e Lartë në orën 13:00, ku pritet të merret përfundimisht një vendim se kujt i takon ta hetojë, Prokurorisë së Tiranës apo SPAK.

Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, që çështja të kalojë në dorën e Prokurorisë së Posaçme, duke prishur vendimin e dy shkallëve të mëparshme. Aleks Nika është një nga 4 protestuesit që u vra nga plumbat e shtetit në protestën e 21 janarit 2011.

Do jetë Gjykata e Lartë që me një vendim urdhërues do të vendosë nëse hetimet do t’i vijojë Prokuroria e Tiranës apo do i kalojnë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.

Vendimi i Strasburgut i datës 14 nëntor 2023 bën thirrje për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve të atij krimi shtetëror. SPAK do të duhet të zbardhë akuzat për urdhërim të vrasjeve, prishje dhe devijim të hetimeve, pengim të drejtësisë nga zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare të asaj kohe, të drejtuar nga Sali Berisha.