AKTUALITET, 26 Shkurt 2024, 22:21

Neritan Sejamini: Elita jonë po monetizon budallallëkun, nuk e kupton rolin që ka!

Neritan Sejamini: Elita jonë po monetizon budallallëkun, nuk e kupton

Neritan Sejamini ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku u diskutua për influencerët e Tik Tok dhe ngjarjet e fundit që lidhen me këtë platformë. 

Sejamini tha se të rinjtë shqiptarë janë "zhytur" në rrjetet sociale, për shkak të mundësive shumë të limituara për aktivitete të tjera kulturore dhe sportive, ndërsa elita e vendit rend pas kotësisë dhe parave, duke mos kuptuar rolin që ka në shoqëri. 

"Ka një sërë problemesh, është një temë për të cilën duhet folur. Ne kemi probleme shumë të mëdha të kulturës, artit, sportit, argëtimit. Në shkollat shqiptare nuk ka sport. Pastaj kultura dhe arti. Kemi boshllëk total, është një mjedis me shumë pak mundësi. Është çështje e argëtimit dhe kulturës.

Është edhe kultura shoqërore, jemi shoqëri ballkanase, ku kafeneja, biseda, kalimi i kohës pa punuar, është një tipar i kësaj kulture, tipar i jugut të Evropës, vendeve të nxehta.

Në çdo shoqëri, njeriu bën atë që maksimizon interesin që ai ka. Për çfarë të duhet shkolla këtu? Nëse je inxhinirer, ku do të punosh? Po si jurist, ku do të punosh? Kemi boshllëk të mundësive, të gjithë këto dukuri çojnë në këtë realitet, në konsumin maksimal në rrjetet sociale. Këto shtojnë parazitizmit, natyrës që shahemi, na pëlqen e shara dhe sherri dhe jo arritjet që mund të kemi.

Ti je një person që bën diçka dhe ndjen kënaqësi për këtë që bën. Kush janë kënaqësitë që mund të ndjesh në Shqipëri?

Je antër i një ekipi basketbolli jashtë vendit dhe punon gjithë vitin të fitosh me ekipin tëndë. Po në Shqipëri? Ku janë këto gjëra në Shqipëri? Këtu i ke të rinjtë në Tik Tok dhe para televizionit. Merr një gjimnazist sot, më thuaj cilat janë mundësitë për argëtimin e një gjimnazisti?

Po flisja me një person të rëndësishëm të medias,  po më tregonte që për temat e lehta ka shumë audiencë, por temat serioze nuk kanë audiencë. Por unë i thashë që ne kemi qëllim edhe të informojnë, edukojmë, ta çojmë debatin atje. Ky është problemi i elitës, nuk është e vetëdijshme për rolin që ka. Edhe ajo ka rënë pas parasë, luan dhe monetizon budallallëkun. Elita në vend të paraprijë me inovacion, do të bëjë para, merr pjesën më të keqe të shoqërisë", tha Sejamini.