AKTUALITET, 7 Qershor 2025, 10:48

Do nisej për në Afrikë/ Zbulohet arsenali i fshehur në një "Land Rover" të braktisur prej më shumë se dy vitesh në port, shpallet në kërkim 24-vjeçari nga Kosova 

Do nisej për në Afrikë/ Zbulohet arsenali i fshehur në

Një automjet i braktisur prej dy vitesh në portin e Durrësit është kthyer në qendër të një hetimi për trafik armësh dhe municionesh. Gjatë një kontrolli fizik të kryer nga Policia Kufitare, autoritetet doganore dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në një Land Rover me targa kosovare, u gjetën të fshehura 3 armë zjarri dhe 1580 fishekë luftarakë.

Automjeti kishte hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare Morinë, më 20 dhjetor 2022, me destinacion final Republikën Demokratike të Kongos. Për afro dy vite, ai qëndronte në një kontenier të mbyllur në sheshin doganor të portit, pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për procedurat.

Më 4 qershor 2025, autoritetet vendosën të hapin kontejnerin për kontroll dhe gjatë inspektimit zbuluan një hapësirë të përshtatur në Land Rover, ku fshiheshin:

2 armë automatike
1 pistoletë zjarri
1580 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm
12 krehra fishekësh
Pas hetimeve paraprake, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi kosovar Y. I., 24 vjeç, i dyshuar për trafik ndërkombëtar armësh. Policia shqiptare po bashkëpunon ngushtë me autoritetet e Kosovës për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Ndërkohë, armët janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime balistike dhe daktiloskopike, për të përcaktuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.

Policia dhe Prokuroria e Durrësit vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë të trafikut të armëve.