AKTUALITET, 7 Qershor 2025, 09:56

Asgjësohen mbi 1880 fidanë kanabis në Mallakastër! Kapen duke ujitur parcelën, arrestohen dy persona

Asgjësohen mbi 1880 fidanë kanabis në Mallakastër! Kapen

Operacioni policor i koduar “Koordinata” ka goditur një tjetër rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike në qarkun e Fierit. Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër kanë zbuluar një parcelë me 1881 fidanë të dyshuar si cannabis sativa në fshatin Çërrilë.

Gjatë ndërhyrjes në parcelë, u kapën në flagrancë duke ujitur fidanët dy persona: A. S., 53 vjeç, banues në Greshicë dhe E. Sh., 34 vjeç, banues në Çërrilë. Të dy u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Policia procedoi penalisht edhe kryeplakun e fshatit Çërrilë, I. S., 63 vjeç, i dyshuar për “Shpërdorim të detyrës”, për shkak të mosveprimit në parandalimin e aktivitetit të paligjshëm.

Gjithashtu, në vijim të hetimeve, nisi procedimi penal edhe për shtetasin M. Z., 44 vjeç, banues në Ballsh, në banesën e të cilit u gjetën një armë sportive, 12.400 euro, 400 paund dhe rreth 900.000 lekë të reja, që dyshohet se ishin të lidhura me veprimtarinë kriminale.

Fidanët narkotikë u asgjësuan në vendngjarje me anë të djegies.

Policia njofton se operacioni “Koordinata” vijon dhe po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.