TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Xhesion Toromeni është autori i dyshuar i vrasjes së 32-vjeçarit Besmir Kumria, krim i ndodhur gjatë mesnatës në fshatin Kryekuq të Divjakës.
Raportohet se mollë sherri për vrasjen ka qenë një kanal vaditës, për të cilin familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme.
Autori i dyshuar raportohet se ka hyrë në lokalin ku ndodhej viktima nën shoqërinë e miqve të tij dhe e ka goditur me thikë.
Më pas, autori i dyshuar Xhesion Toromeni është larguar nga vendngjarja dhe u kap nga policia pas disa orësh ndjekje.
25-vjeçari, banues në Kryekuq, u arrestua për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Njoftimi i policisë:
Divjakë/ Goditi me thikë një shtetas, i cili për pasojë humbi jetën; pas veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar.
Pas vrasjes, autori u largua, por u kap pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të DVP Fier.
Gjatë mesnatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kryekuq një shtetas i paidentifikuar kishte hyrë në një lokal dhe kishte goditur me mjet prerës shtetasin B. K., 32 vjeç (i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij), shkuan menjëherë në adresën e dhënë.
U ngrit grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.