AKTUALITET, 17 Qershor 2023, 18:07

Detaje nga aksidenti i rëndë, njëra nga familjet e aksidentuara nga Maqedonia e Veriut

Detaje nga aksidenti i rëndë, njëra nga familjet e aksidentuara

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me aksidentin tragjik që ndodhi sot në aksin Peqin-Elbasan, ku një vajze e mitur fatkeqësisht humbi jetën. Nga aksidenti u plagosën dhe 5 persona të tjerë, mes tyre dhe nëna dhe motra e vogëlushes që mbeti viktimë. 

Mësohet se në njërën prej makinave po udhëtonte një familje nga Maqedonia e Veriut. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit.

Mjeti me targa të Maqedonisë së Veriut ka përfunduar mbi barrierat mbrojtëse, ndërsa në njërën anë është shtypur totalisht. Ende nuk dihen shkaqet, por paraprakisht mendohet të ketë ndikuar lagështia në rrugë.

"Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Paulesh, shtetasja T. B., duke drejtuar automjetin tip “Golf”, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. H., banues në Kavajë. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë një shtetase e mitur 8 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtuese shtetasen T. B.

Gjithashtu, janë dëmtuar shtetasja T. B. dhe vajza e saj 11 vjeçe, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, edhe shtetasi A. H. dhe 2 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.", thuhet në njoftimin e policisë.