TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Për rreth 6 orë, ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka qëndruar në Gjykatën e Posaçme ditën e djeshme.
Ai u njoh me materialin e përgatitur nga SPAK që e kanë vënë nën akuzë për dy episode që përbëjnë edhe faktin penal kundër tij. Dako i ka kundërshtuar gjetjet e Prokurorisë duke dhënë edhe shpjegime për secilën prej tyre.
Për pallatin, Dako ka treguar se nuk mban mend as se sa katësh është, ndërkohë që për çështjen e shëtitores ai i tha Gjykatës se gjithçka e kishte lënë në duar specialistësh dhe se ai nuk e ka shkelur ligjin në asnjë moment.
Po ndërkohë që ai dhe të gjithë personat e përfshirë në ato dy çështje janë përballur me gjetjet e hetimit është bërë me dije se tre prej personave të vënë nën akuzë nuk janë gjetur nëpër shtëpitë e tyre e për pasojë ata janë lënë në masa sigurimi personal në mungesë.
Gjykata vendosi burg pa afat për tre bashkëpunëtorët e afër të Dakos, ndërkohë që për një specialiste, ndaj së cilës nuk ishte ekzekutuar vendimi i ndalimit, është dhënë masa e sigurimit personal “detyrim paraqitjeje”.
Dako bashkë me 7 ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Durrësit u lanë në masën e arrestit me burg, ndërsa për dy persona të tjerë, ndaj të cilëve ishte vendosur masa e arrestit me burg, GJKKO vendosi tua ndryshonte masën duke i lënë në arrest shtëpie.
PËRGJEGJËSIA FAKTIKE
Prokurori i çështjes ka treguar faktet dhe provat për të cilat akuzoheshin personat e dosjes së Bashkisë së Durrësit. Njëri prej episodeve të veprës penale është konkretisht edhe lëvizja me një shifër zeroje, duke i ndërruar vendin pikës.
Ndonëse kishte të bënte me sipërfaqen e shëtitores së planifikuar është mësuar edhe rritja me 10 fish e shifrës së investimit për atë projekt.
Sipas të dhënave që vijnë nga Gjykata, mësohet se për pasojë bashkë me Vangjush Dakon, me masë sigurie në burg, për zeron e shtuar në llogaritje, janë dhe anëtarët e komisionit, Adhurim Qehajaj, me detyrë ish-Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit të Bashkisë Durrës dhe Adnand Toçila.
Anëtarja tjetër e komisionit, Diana Dedja, u la me masë sigurimi detyrim paraqitjeje. Dako dhe Qehajaj, u ngarkuan me një akuzë të dytë për shpërdorim detyre, në një aferë që përfshin dhënien e një leje ndërtimi të parregullt, që siç shprehet Gjykata në masën e sigurimit, solli për pasojë “rrezikimin e jetës së banorëve” të një pallati 11- katësh në Durrës gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.
SPAK saktëson se shkelja në këtë rast rezultonte e dukshme edhe nga pamjet në satelitore. Sipas Prokurorisë së Posaçme pallati u pajis me një shtesë leje ndërtimi pasi punimet kishin përfunduar në mënyrë të paligjshme. Përveç Dakos dhe Qehajajt, për këtë aferë u caktua masë arresti me burg edhe ndaj ndërtuesit Fiqiri Farruku, arkitektit Ermal Lama, inxhinierit-topograf Fatmir Ejupi dhe inxhinierit gjeoded-topograf Adrian Bulku.
Ndërsa u caktua masë arresti shtëpiak për arkitekten Meri Selimi (Priftuli) dhe kolauduesen e pallatit Ferzilet Hajdëri. Edhe pse janë nisur nga kallëzime të ndryshme të dy procedimet penale u bënë bashkë pasi përfshijnë në të dy rastet ish-kryebashkiakun Vangjush Dako. SPAK bëri me dije dy ditë më parë se masat e sigurimit me burg ndaj Adhurim Qehajajt, Ermal Lamës dhe Fatmir Ejupit janë ende në proces ekzekutimi.
E pa ekzekutuar është edhe masa e arrestit shtëpiak ndaj Diana Dedjas. Nisur nga mosekzekutimi i të gjithë urdhër arresteve dhe fakti që planet për arrestimin e Dakos u publikuan ditë më parë në media, Prokuroria e Posaçme njoftoi se paralelisht kishte nisur një hetim të brendshëm për nxjerrje të sekretit hetimor, ndonëse nxjerrja e këtij sekreti u “shkoi” ditën e djeshme edhe në parlament, ku shefi i opozitës vuri gishtin mbi Ulsi Manjën si personin që kishte lajmëruar punën e SPAK te Dako dhe të tijtë.
SPAK PËR SHËTITOREN
Të punësuarit nga ishkryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, të përllogarisnin kostot për të bërë projektin e zbatimit të një shëtitoreje bregdetare nga zona e Bërrylit deri në Currila, tre anëtarët e komisionit të vlerësimit, mësohet se u mblodhën me 11 shtator 2013. Projekti i zbatimit të shëtitores, u pagëzua si “Promenada Bregdetare dhe Plazhi publik nga Bërryli deri në Currila”.
U tha se do të bëhej për një sipërfaqe prej 2.04 hektarë. Procesverbalet e mbajtura në mbledhje kanë të shënuar se komisioni mori për krahasim dy projekte të ngjashme. I pari e nxirrte vlerën e shëtitores në total 180.8 milionë lekë; ndërsa i dyti, i cili i referohej punimeve të ngjashme në “Bulevardin Dyrrah”, kapte vlerën 337 milionë lekë.
Sipas SPAK kur duhej të përcaktohej vlera e “projektit të zbatimit” që i takon të ishte sa 1.2 për qind e shumës totale të punimeve, gjatë llogaritjes së përqindjes u shtua një zero dhe kostoja e punës u rrit 10 fish, duke e çuar shifrën në atë që u konstatuar nga KLSH-ja.