AKTUALITET, 17 Qershor 2025, 11:34

Ekzekutimi i Emiljano Ramazanit, Alibej rrëfen si tentuan t’i ngecnin krimin vëllait të Talo Çelës: Armën donin ta groposnim tek shtëpia e Bujarit

Ekzekutimi i Emiljano Ramazanit, Alibej rrëfen si tentuan t’i ngecnin

I penduari i drejtësisë, Erion Alibej ka vijuar me dëshminë në GJKKO lidhur me ngjarjet kriminale që kanë tronditur vendin, ku është përfshirë.

Erion Alibej rrëfeu se vrasjen e Emiljano Ramazanit, krim i  ndodhur më 20 Korrik të vitit 2020, tentuan t’ia ngecnin vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës (i ekzekutuar më 17 Shtator 2020).


Ai tregoi në dëshminë e tij se së bashku me Nuredin Dumanin planifikuan që armën e krimit ta groposnin tek shtëpia e Bujar Çelës.

“Përmes Xhuliano Hoxhës deshëm të gjejmë diçka që Bujari e kishte prekur me dorë, një qese, apo diçka. Doja që në të të fusnim armën e krimit dhe ta groposnim tek shtëpia. Më pas do sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit”, theksoi i penduari i drejtësisë

Por, Alibej shtoi se nuk arritën që ta realizonin dhe më pas vendosën që ta ekzekutonin vëllain e Talo Çelës.

Erion Alibej: Bujar Çela është vëllai i Talo Çelës. Njeriu më i afërt i Talos. Ka qenë taksist. Pas vrasjes së Emiliano Ramazanit, diskutova me Nuredinin, që armën e krimit ta vendosnim tek shtëpia e Bujar Çelës.

E dija ku e kishte shtëpinë. Unë kisha informator Xhuliano Hoxhën.

Bujar Çela kishte një pikë shumice afër shtëpisë. Përmes Xhuliano Hoxhës deshëm të gjejmë diçka që Bujari e kishte prekur me dorë, një qese, apo diçka. Doja që në të të fusnim armën e krimit dhe ta groposnim tek shtëpia. Më pas do sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit.

Nuk e arritëm dot këtë dhe diskutuam, që duke qenë njeri i afërt i Talos, por edhe pse përmes taksisë bënte punë e lëvizje për Talo Çelën, vendosëm ta ekzekutonim.

Si fillim u angazhua nipi, qw i referohem Skerdi Tases dhe kushos, që i referohem Henrik Hoxhajt.

U angazhua kusho me nipçen për ta ekzekutuar.