AKTUALITET, 2 Maj 2023, 16:19

Dembelë apo nuk ka treg? Qeveria nxit punësimin, paguan kurset profesionale për të rinjtë

Dembelë apo nuk ka treg? Qeveria nxit punësimin, paguan kurset

Nëse jeni i ri dhe i papunë, një lajm i mirë vjen për ju. Qeveria do të paguajë kurset profesionale për çdo të ri të moshës 15 deri në 29 vjeç, që nuk ka një profesion. Ky hap lehtësues vjen në një kohë kur kjo kategori moshe përbëjnë numrin më të lartë të të papunëve në vendin tonë. Në fund të vitit të shkuar rreth  21.5 % e  kësaj moshe sipas Institutit të Statistikave  nuk  kishin një punë. Për të nxitur punësimin qeveria ka miratuar skemën e garancisë rinore përmes të nxënit në vendin e punës.

Çdo i ri i kësaj moshe  që ka katër muaj pa shkollë apo pa punë sipas vendimit  mund të ndjekë një kurs  të formimit profesional. Kursi zgjat tre deri në gjashtë muaj dhe  pjesëmarrja në gjysmën e parë të tij  paguhet me  80% të pagës minimale ndërsa pjesa e mbetur 100%. Pas përfundimit të kursit i riu punësohet për gjashtë muaj me pagë  e pakta sa ajo minimale. Në rast se  kursanti  banon më shumë se dy kilometra  larg vendit të punës ai do të përfitojë dhe bonus transporti një mijë e gjashtëqind lekë në muaj.

Por për të përfituar nga ky program të rinjtë duhet  të jenë të regjistruar prej jo më shumë se katër muajsh në zyrën e punës  ndërsa  punëdhënësi  jo më shumë se gjashtë muaj, të mos ketë detyrime të prapambetura dhe të ketë  burime njerëzore dhe infrastrukturë  për të mbështetur programin. Katër ditë të javës të rinjtë pjesëmarrës sipas vendimit të qeverisë duhet të zhvillojnë  32 orë praktike dhe një ditë teori në një prej bizneseve që  I ka dërguar Agjencia e Formimit Profesional.

Punëdhënësi ka detyrimin që të caktojë të paktën një instruktor për çdo grup  prej pesë personash I cili do të angazhohet  20% më shumë se normalisht dhe do të paguhet. Biznesi për këtë do të rimbursohet nga shteti  ashtu si për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të kursantit. Për të rinjtë  nën 18 vjeç vendimi thotë se do të zbatohen kushtet e punësimit në përputhje me rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve në punë. Kursi i do  të mbikëqyret nga Agjencia e Formimit Profesional e cila  në përfundim tij do të  vlerësojë dhe do të pajisë  të riun me certifikatë. Ky program parashikohet të zgjasë pesë vjet dhe të nxisë punësimin e të rinjve të moshës 15-29 vjeç.