TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Alibeaj ankohet sërish në KQZ për përdorimin e emrit, logos dhe simboleve nga kreu i PD Sali Berisha.
Drejtorja e Komunikimit e kandidatit demokrat të grupit të Alibeajt për bashkinë Tiranë, Roland Bejko, Mirela Karabina ngriti sërish sot shqetësimin e përdorimit të emrit dhe simboleve të PD-së nga subjekte të tjera zgjedhore.
“Shtabi elektoral i kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë Tiranë, Roland Bejko, ka paraqitur edhe njëherë një ankesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për sa i përket përdorimit të emrit logos dhe simboleve të Partisë Demokratike nga subjekte zgjedhore dhe persona fizik të cilët nuk kanë asnjë lidhje me këtë parti dhe përfaqësojnë forca politike të ndryshme nga Partia Demokratike e Shqipërisë”, tha ajo në një deklaratë për mediet.
Karabina u shpreh se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka marrë ende asnjë masë kundër personave dhe subjekteve që janë duke shkelur ligjet dhe kodin zgjedhor shqiptar.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka për detyrë të garantojë zbatimin e ligjeve dhe kodit zgjedhor në përputhje me liritë dhe të drejtat politike të çdo forcë politike që merr pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Përdorimi i logos dhe emrit të Partisë Demokratike nga subjekte zgjedhore që nuk e përfaqësojnë atë ligjërisht dhe politikisht është duke keqinformuar publikun shqiptar dhe deformuar garën politike në kundërshtim me të gjitha parimet kushtetuese të demokracisë dhe përfaqësimit politik”, theksoi ajo.
Karabina u bëri thirrje edhe medies të ndalojnë përdorimin e emrit të Partisë Demokratike për subjekte politike që në këtë garë, sipas ligjeve në fuqi, janë subjekte me emër, logo dhe koalicione të ndryshme nga Partia Demokratike.