AKTUALITET, 3 Tetor 2023, 19:07

Deklarata e Ramës në takimin me ndërtuesit, reagon Bardhi: SPAK të hetojë kreun e qeverisë për shpërdorim detyre!

Deklarata e Ramës në takimin me ndërtuesit, reagon Bardhi: SPAK

Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës kryeministrit Edi  Rama ditën e sotme gjatë takimit me ndërtues.

Bardhi shprehet se kreu i qeverisë sot ka bërë një deklarim të vlefshëm për SPAK-un, pasi sipas tij kreu i qeverisë ka dijeni që në biznesin e ndërtimit ka evazion fiskal dhe jo vetëm e ka lejuar të ndodhë, por ka bashkëpunuar për rritjen e evazionit duke u dhënë leje të reja ndërtuesve që fshehin të ardhurat.

Ai shtoi se “nuk ka dyshim” se ndërtuesit që fshehin mijëra euro për metër katror shitje janë ndërtuesit e preferuar të Ramës, disa prej të cilëve i ka shpallur investitorë strategjikë.

Sipas tij është koha që SPAK ta marrë seriozisht hetimin e kryeministrit për shpërdorim detyre përmes lejimit me mosveprim të evazionit fiskal.

Reagimi i plotë:

Edi Rama ka bërë sot një deklarim të vlefshëm për SPAK-un. Kryeministri e di që në biznesin e ndërtimit ka evazion fiskal dhe jo vetëm e ka lejuar të ndodhë, por ka bashkëpunuar për rritjen e evazionit duke u dhënë leje të reja ndërtuesve që fshehin të ardhurat.

 

Kush fsheh 5 mijë, 6 mijë, 7 mijë, 8 mijë euro m2 shitje? Nuk ka asnjë dyshim që ndërtuesit e tij të preferuar, të cilët, disa i ka shpallur investitorë strategjikë për resorte në bregdet, disa i pajis me leje për kulla. Në të gjitha rastet është firma e Edi Ramës. Dhe është koha që SPAK ta marrë seriozisht hetimin e kryeministrit për shpërdorim detyre përmes lejimit me mosveprim të evazionit fiskal!