TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot nga kryeparlamentari Niko Peleshi, por nuk kaloi pa debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
“Mollë sherri” u bë kalendari për projektbuxhetin e vitit 2026 që socialistët kërkuan që ta kalonin për diskutim menjëherë pa humbur kohë.
Kundër ishin ligjvënësit e opozitës, që vunë në dukje se projektbuxheti nuk mund të diskutohej apo kalohej pa paketën fiskale, sepse do të ishte shkelje e ligjit dhe Kushtetutës.
Niko Peleshi: Hapim mbledhjen për të diskutuar projektbuxhetin dhe kalendarin.
Jorida Tabaku: Nuk mund të diskutojmë për një projektbuxhet pa pasur edhe paketën fiskale në dorë. Ju e dini shumë mirë këtë. Nuk mund të kalojë buxheti dhe pastaj të diskutohet paketa fiskale, nuk ka buxhet pa paketë fiskale, është e qartë. Kemi pasur edhe debate të gjata për këtë. Deshëm ta çonim edhe në Kushtetuese para tre vitesh dhe kryeparlamentarja Nikolla ndërhyri dhe kërkoi që të vinte paketa fiskale në Kuvend.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë që projektbuxheti të paraqitet pa një paketë fiskale. Ndryshimet e taksave janë reflektuar. Është një standard që nuk e shkelim dot. Çfarë do miratojmë ne këtu kur nuk kemi një paketë fiskale? Çfarë do të miratojmë ne këtu? Para tre viteve kemi pasur një debat shumë të gjatë dhe një precedent shumë negativ nga ana e qeverisë, ku qeveria u tërhoq dhe solli edhe paketën fiskale. Nuk mund të nisim diskutimin pa paketën fiskale. Impakti i paketës fiskale përcakton kuadrin makro dhe treguesit që reflektohen këtu në buxhet
Ministri Petrit Malaj: Nuk presim ndryshime në këtë projektbuxhet.
Taulant Balla: Mos e lexoni rregulloren e Kuvendit siç doni ju. Na ka thirrur kryetari i Kuvendit. Ceremonialiteti i kësaj mbledhje zoti kryetar e do që të dëgjohet ministri i Financave menjëherë. Qeveria mund të vendosë që të mos sjellë paketën financiare këtu. Ose jeni shqetësuar se ky është buxheti më i madh ndonjëherë për vendin, se kur ishit ju ishte shumë pak. Të fillojë shqyrtimi menjëherë i projektbuxhetit dhe të mos humbim kohë.
Gazment Bardhi: Ministri sapo na e tha se do e sjellë paketën financiare. Kemi një rregullore dhe ligj që thotë se si miratohet projektligji përkatës në kalendar. Kemi kalendar të veçantë për projektbuxhetin dhe kalendarin e paketës fiskale që duhet të jenë së bashku. Ne jemi këtu për të miratuar një kalendar për buxhetin e shtetit, ndërkohë që ligji thotë se duhet të jetë bashkë me paketën fiskale. Ju ftoj të respektoni Kushtetutën dhe Ligjin.
Niko Peleshi: Këtu jemi mbledhur mbi bazën e parashikimit të rregullores, duhet të marrim mendimin nëse paketa fiskale mund të vijë të diskutohet me projektbuxhetin, por kjo mbledhje ka të bëjë me kalendarin dhe të mos ngatërrohet.
Luçiano Boçi: Nuk mund të kalojë projektbuxheti pa ardhur paketa fiskale, e thotë ligji. Ju mund të bëni si të doni dhe të rrihni gjoksin për arritjet tuaja, por nuk mund të diskutohet kështu dhe ta kaloni buxhetin pa paketën fiskale.
Taulant Balla: Sot jemi mbledhur vetëm për kalendarin… Qytetarët shqiptarë presin që të miratohet buxheti!
Niko Peleshi: Nuk jemi duke miratuar buxhetin këtu, nuk jemi për miratim sot këtu, por për të dëgjuar ministrin e Financave mbi projektbuxhetin, zërat e tij dhe pikat që ka. Jemi edhe nën presion të kohës ta kalojmë atë, është detyra jonë kushtetuese mbi afate kohore të caktuara.