AKTUALITET, 1 Maj 2025, 23:40

Dashamir Shehi: Votoni partitë alternative për të mundur Edi Ramën

Dashamir Shehi: Votoni partitë alternative për të mundur Edi

Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së dhe kandidat për deputet i Koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke komentuar dështimin për bashkimin e opozitës, u bëri thirrje votuesve shqiptarë që të votojnë partitë e tjera alternative për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën.

“Ne u nisëm për t’u bashkuar të gjithë, por nuk ia arritëm dot. Ky është realiteti dhe ndoshta kjo ishte se nuk ishim të zotë për t’i bashkuar dhe kjo është një histori shqiptare. Po të ishim bashkuar, do të kishim prodhuar sinergji dhe pragmatizëm politik më tepër dhe do të kishim prodhuar mandate deputeti më tepër. 

Gjithsesi kjo është një rrugë që e kemi nisur, kemi pranuar listën e hapur, gjë që s’e kanë bërë të tjerët, se jemi dy grupe që jemi puqur dhe kemi pranuar listën e hapur. Kemi bërë luftë 4 vjet për listën e hapur, sepse lista e mbyllur nuk na pëlqen, nuk është e moralshme. Opozita shqiptare në përgjithësi, duke bërë këtë marrëveshje me Ramën, i humbi një shans opozitës shqiptare se me listë të hapur, poshtë e përpjetë Shqipërisë u humbëm një rast që me nja 140 burra e gra do e kishim shtyrë Ramën përtej.

Unë uroj që kjo të ndodhë prapë dhe në kushtet e reja që janë, por ka një problem që në këtë lloj procesi jemi më të moralshmit. Premtuam listë të hapur dhe bëmë listë të hapur, përtej këtij ligji të ngatërruar që bënë këta për të ruatjur grupin e vet politik.

Jam plotësisht i bindur që kjo është mënyra më e mirë që të votohen partitë alternative për mundur Edi Ramën, ndryshe do të përfundojë atje ku ka përfunduar herë të tjera”- tha Shehi.