AKTUALITET, 21 Korrik 2022, 14:24

Projektligji për regjistrimin e abuzuesve seksualë, Xhixho: Do ndalohet përfundimisht punësimi tyre në institucione

Projektligji për regjistrimin e abuzuesve seksualë, Xhixho: Do

Deputetja Erisa Xhixho, ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me projektligjin për krijimin e regjistrit të abuzuesve seksualë me të miturit.

Ajo tha se për herë të parë në vendin tonë do të kemi një regjistër të të gjithë personave që janë dënuar me vendim të formës prerë nga Gjykata.

Sipas saj ky projek ligj synon parandalimin e shumë veprave penale për krime seksuale ndaj fëmijve vajzave e grave.


Ndërkohë tashmë do të pengohet punësimi i mostrave në institucionet arsimore.

FJALA E PLOTË E ERISA XHIXHO-së

Jam këtu para jush, pasi edhe pse fatkeqësisht, Kuvendi i Shqipërisë shpesh ka ofruar teatër dhe diskutime pa interes për publikun, sot merr një vendim shumë të rëndësishëm: votimi për projektligjin e depozituar prej nëntorit Për Regjistrin Kombëtar të Të Dënuarve për Krime Seksuale.

 Është një nga ligjet më të rëndësishme dhe historike për vendin. Është demonstruar mbështetje nga ana e maxhorancës për projektligjin dhe kjo është një vlerë e shtuar për ligjin, por unë nuk mund të rri pa shprehur dhimbjen, pengun, që ky projektligj ndodhet në sirtarët e Parlamentit që prej 2013-s dhe janë humbur plot 9 vite. Nëse do të ishte miratuar me kohë, shumë prej abuzimeve do të ishin parandaluar.

LSI e ka mbështetur me forcë këtë nismë dhe do të vazhdojë të mbështesë çdo nismë që ka për qëllim zgjidhjen e problemeve shumë të mëdha që kanë fëmijët, gratë dhe vajzat në Shqipëri.

Falë këtij ligji, për herë të parë do të kemi një regjistër të të gjithë atyre që janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për abuzim seksual. Në këtë databazë, këta persona do të jenë përjetësisht.

Ky ligj synon parandalimin e këtyre veprave tê rënda. Nëpërmjet ligjit pengohet punësimi i këtyre monstrave  në sistemin arsimor, duke i detyruar punëdhënësit e institucioneve si çerdhe, kopshte e shkolla, pra kudo ku ka fëmijë, të refuzojnë marrjen e tyre në punë.

Më lejoni të risjell në vëmendje rastin e Beratit, ku një mësues, edhe pse kishe vendim të formës së prerë ndaj tij për abuzim dhe pedofili, ishte bërë pjesë e sistemit tonë arsimor. Më lejoni të kujtoj rastin e drejtorit në Lushnjë, në prill 2022, që ngacmoi seksualisht një vajzë 15-vjeçare. Me këtë projektligj do të ndalohet përfundimisht punësimi i këtyre grabitqarëve seksualë.

Nga ana tjetër, edhe punëdhënësit do të duhet të verifikojnë personelin e tyre nëse ndonjëri është pjesë e këtij regjistri. 

Aksesi në këtë regjistër do të jetë për të gjitha institucionet e drejtësisë, për Departamentin e Administratës Publike, për çdo qytetar dhe prind që ka një shqetësim, duke u identifikuar në momentin që kërkon këtë të dhënë. Nga ky moment, kemi bazën ligjore për parandalimin e krimeve seksuale, por padyshim sfidê mbetet zbatimi i ligjit.

Unë garantoj se do të ushtroj të gjithë kontrollin parlamentar, do të përdor të gjithë mekanizmat që garantojnë zbatimin e plotë këtij ligji.

Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë mediat për mbështetjen e dhënë dhe ftoj qytetarët, prindërit, shoqërinë civile që të jenë në alert për çdo krim të këtij lloji.

Le të shërbejë kjo nismë si një leksion për klasën politike, se kur interesi publik dhe shqetësimi i qytetarëve janë prezente, ato duhet të shqyrtohen menjëherë në Parlament dhe të ecet përpara drejt zgjidhjes. Përtej opozitës dhe maxhorancës duhet të prevalojë interesi i qytetarëve.