AKTUALITET, 30 Shtator 2024, 09:51

Bojkoti i komisioneve, Paloka sulmon drejtësinë: E kapur nga Rama, ka burgosur apo hetuar të gjithë liderët e opozitës

Bojkoti i komisioneve, Paloka sulmon drejtësinë: E kapur nga Rama, ka

Partia Demokratike nis bojkotin e pjesshëm të komisioneve parlamentare. Në komisionin e Integrimit nga deputetët demokratë të pranishëm është vetëm Jorida Tabaku dhe Edi Paloka. 

Ky i fundit mori fjalën sot në Komisionin e Integrimit pas fjalës që mbajti kryetarja Jorida Tabaku dhe përfaqësuesi i mazhorancës, Niko Peleshi.

Paloka njoftoi arsyet përse PD kishte ndërmarrë nismën e re të saj, për bojkotim të Komisioneve, duke renditur sipas tij shkeljet e mazhorancës dhe fakti se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim në BE.

Paloka sulmoi edhe drejtësinë e re si shkaktare të situatës politike të fundit, duke iu referuar burgosjeve të liderëve të opozitës.

“Shqipëria e Edi Ramës nuk plotëson asnjë nga kushtet e BE-së. Për fat të keq nuk plotëson asnjë nga kriteret e BE aktualisht që flasim, kur pritet edhe hapja e negociatave. Reforma elektorale, kushtet e të cilës prej 11 vitesh nuk plotësohen dhe regjimi nuk lejon zgjedhjet e barabarta në Shqipëri, edhe pse i kërkon OSBE-ODIHR.

Kjo drejtësi e kapur dhe në duart e Edi Ramës. Sot në prag të zgjedhjeve të gjithë krerët e partive opozitare janë nën arrest, persekutim apo në çështje penale nga kjo drejtësi e reformuar. Fredi Beleri u arrestua dhe u borgos dhe u zgjodh eurodeputet duke qenë në burg. Një tjetër koleg i yni dy ditë më parë (Ervin Salianji), po si Fredi Beleri, pa dëshmitarë e prova u çua në burg”, tha deputeti demokrat.

Ai përmendi gjithashtu faktin se “qytetarët enden gjykatave, me plotë 138 mijë dosje në pritje, ku përballen me këtë realitet”. Ai tha se një qytetari i duhen 14,6 vite për proces civil dhe 10 vite për një proces penal në dyert e drejtësisë së reformuar.