AKTUALITET, 29 Shtator 2024, 17:11

Shpëtohen 8 turistë holandezë në Pukë, njërin e kishte pickuar gjarpri duke eksploruar Majën e Murgës (VIDEO)

Shpëtohen 8 turistë holandezë në Pukë, njërin e

Tetë turistë hollandezë janë shpëtuar falë policisë, punonjësve të zjarrfikëses dhe banorëve që janë angazhuar për kërkimin e tyre.

Turistët humbën rrugën gjatë eksplorimit të Majës së Murgës, ku njëri prej tyre ishte pickuar nga gjarpri. Janë dashur pesë orë kërkime për autoritetet vendase që të binin në gjurmët e turistëve të cilët ndodhen tashmë në gjendje të mirë shëndetësore.

Guida që i dha jetë turizmit në këto zona, Emanuel Pjetri, tregon për aksionin e shpëtimit të holandezëve.

“U bashkova me policinë dhe u mundova t’ua bëja sa më të thjesht gjetjen e turistëve. Shkuam, i gjetëm, ishin mirë, njëri pak i dëmtuar. Normalisht të frikësuar, kishin mbetur pa ujë, pa ngrënë.

U bëj thirrje të gjithë turistëve, si shqiptarë dhe të huaj, që të mos nisen të dalin në mal apo destinacion turistik, pa komunikuar me një guidë të zonës ose lokale pasi po shohim vitet e fundit shumë aksidente me humbje jete.

Të paktën 2 apo 3 herë të tjera përveç këtij rasti që ndodhi tani, që kanë humbur rrugën. Janë nis për të Maja e Murgës, por i kam orientuar për të shkuar te mjetet e tyre, si motor dhe makina”, u shpreh Pjetri.

"Salla Operative e Komisariatit të Policisë Pukë mori njoftim se grupi i turistëve kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit të Majës së Murgës dhe njëri prej tyre ishte pickuar nga një gjarpër.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Pukë, së bashku me Ekipin e zjarrfikësve të Bashkisë Pukë, u nisën në drejtim të zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët.

Grupi i Forcave Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, së bashku me një ekip mjekësor, shkuan në ndihmë turistit të lënduar nga pickimi i gjarprit, i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë vijuar kërkimet për gjetjen e pjesës tjetër të grupit.

Pas 5 orë kërkimesh, të gjithë turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore dhe u shoqëruan nga punonjësit e Policisë në destinacionin ku ishin akomoduar.

Turistët falënderuan punonjësit e Policisë dhe ekipin e MZSH Pukë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë"- njoftoi policia.