AKTUALITET, 9 Maj 2022, 20:41

Bisedat me bandat/ Berisha: Të ngrihet Komision Hetimor për Ramën. Po ushtron presion edhe ndaj kreut të KMSH

Bisedat me bandat/ Berisha: Të ngrihet Komision Hetimor për

Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë seancës plenare se Shqipëria ndodhet edhe më larg Europës jo për shkak të kësaj të fundit, por sepse vendi u kthye në kanabistan.

Berisha tha se integrimi duket një horizont që largohet për shkak se shkelen dhe nëpërkëmben të drejtat dhe liritë e njeriut, drejtësia kontrollohet nga ekzekutivi, dhe po kështu nuk ka liri mediash.

Gjithashtu ish -kryeministri u shpreh se qytetarët shqiptarë po përballen me çmime 20 % më të larta, ndërsa qeveria po përligj spekulimin përmes bordeve.

“Të marrë fund praktika e shushunjave. Monopolet i kanë blerë bordet me gjithë lecka, ndaj përgjigjia e vetme është indeksimi i pagave dhe pensioneve në raport me rritjen e çmimeve. Çfarë po ndodh sot në Shqipëri? Po pasurohen monopolet dhe varfërohen shqiptarët”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, ish-Kryeministri denoncoi presionet që Edi Rama po ushtron ndaj kreut të KMSH-së që të dorëhiqet.

“Pse e bën Rama këtë? Sepse ia kërkon Presidenti i Turqisë. Është e papranueshme që të ndërhyhet se kush do të jetë në krye të KMSH-së me arsyen se kryetari qenka shkolluar me fondet e Gulen”, tha Berisha.

Gjithashtu ai kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor lidhur me deklaratat e prokurorit Arjan Ndoj, sipas të cilit ka të regjistruar Kryeministrin Edi Rama duke folur me banda e banditë.

“Unë e kam sulmuar Arjan Ndojin, por kjo s´ka lidhje. Mbi këtë prokuror janë derdhur batare me armë, a ka lidhje kjo me Edi Ramën? Duhet të ngrihet një komisionin hetimor. Po ua them se telefonat BQ po zbërthehen, po verifikohet se zërat e kujt janë, se mesazhet janë zbardhur”, tha Berisha.