AKTUALITET, 11 Prill 2026, 13:09

Berisha: Rama po grabit 4 miliardë euro me portin e Durrësit

Berisha: Rama po grabit 4 miliardë euro me portin e Durrësit

Kreu i PD-së Sali Berisha në komunikimin e përjavshëm me qytetarët iu rikthye edhe një herë Portit të Durrësit.

Sipas Berishës, PD në 2013 kishte gati projektin e Marinës së Durrësit dhe madje ishte zhvilluar tenderi dhe ishte shpallur kompania fituese.  Por sipas Berishës, kryeministri me portin e Durrësit do te beje Dubain e tij, ndërsa po u grabit shqiptareve 4 miliardë euro.

“Unë dje isha në Durrës për një nga aferat më tronditëse, atë të portit të Durrësit. Porti i Durrësit, që Edi Rama do ta shndërrojë në Dubain e 1001 netëve përbën një grabitje të pasurisë publike prej të paktën 3.8 gjer në 4 miliardë euro dhe një gjobë për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano prej 1 miliardë euro.

Ndërkohë duhet thënë se Porto Romano me përmasat dhe projektin që ka është një port që zhvlerëson në mënyrë përfundimtare portet e Shqipërisë, u jep përparësi porteve të tjera të rajonit.

Ky port ka një të katërtën e kapacitetit aktual të portit të Durrësit, dhe një të tetën gjer në një të pesëdhjetën e porteve të rajonit.

Kështu që Shqipëria nga një vend me port strategjik për BE siç është porti i Durrësit, del në një vend pa porte të rëndësishme dhe kjo vetëm e vetëm që Edi Rama të bëhet supermiliarder.  Ndaj dhe u ftoj të debatojmë për këto çështje dhe çfarë çështje e konsideroni të rëndësishme”, tha Berisha.