AKTUALITET, 28 Korrik 2025, 13:05

Berisha: Kodi i ri penal ka dalë nga shpellat e mafies, ka rikthyer nenin 55 të diktaturës komuniste

Berisha: Kodi i ri penal ka dalë nga shpellat e mafies, ka rikthyer nenin

Në një konferencë me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi ndryshimin e kodit penal të Shqipërisë si një veprim të nxjerrë nga “shpellat e mafies”, duke e lidhur këtë akt me interesat e narkoshtetit dhe mafia qeveritare.

Sipas Berishës, ky kod i ri, i hartuar dhe miratuar pa asnjë konsultim me faktorët e rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, është një përpjekje për të mbrojtur zyrtarët dhe ata që janë përfshirë në krime të rënda, ndërkohë që qytetarët preken nga masa të ashpra. 

 Ai kritikon se ky akt është miratuar pa asnjë konsultim të vërtetë, dhe thotë se ndryshimi i ligjeve, pa respektuar parimet e stabilitetit dhe transparencës, dëmton thelbësisht funksionimin e drejtësisë.

Deklarata

Narkoshteti paraqiti dy ditë më parë narkokodin penal të Shqipërisë, në të cilin goditen pa mëshirë qytetarët, trajtohen me butësi maksimale zyrtarët dhe ata të cilët në drejtësinë e shekujve për aktet e tyre kanë marrë dënimin me vdekje, por duke e ndaluar një masë të tillë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, vendet anëtare të Këshillit të Europës, kanë hequr dënimin me vdekje nga kodet penale dhe kanë ruajtur dënime të tjera.

Ata tani kanë të mundur plotësisht të dalin dhe të bëjnë punë vullnetare sepse janë eksponentë kryesorë të mafies qeveritare.
Nga viti 1992 gjer sot, Shqipëria ka hartuar ligje të bazuara në standardet më të mira dhe të asistuar nga institucionet kompetente evropiane.
Në këtë kontekst, në vitet ’90 u nda nga kodet e vjetra të diktaturës komuniste dhe u vendosën ligje të reja.

Natyrisht ligji nuk është një e dhënë njëherë e përgjithmonë, por veçanërisht kodet, me dinamizmin e krimit dhe veprave penale, ato pasqyrojnë ndryshimet e realitetit.
Por gjithmonë një parim nga themeluesi i parimeve të shtetit modern, Monteskje, ligji preket rrallë dhe kur preket, preket me një dorë që dridhet.
Pse kjo? Sepse stabiliteti i ligjit është kushti madhor i sigurisë juridike, e cila përbën dimension më cilësor të shtetit ligjor.
Duke përmbysur në mënyrë të vazhdueshme ligjet, ti vetë sistemin e zhyt në një mjedis pasigurie. Sistemi juridik.

Do t’u jap një shembull, ky është kodi i tretë në 30 vite.
Në vitin 1995, u miratua kodi i parë penal.

Në vitin 2014, me ndihmën e Euralius, u hartua kodi penal që është sot në fuqi.
Dhe pa u mbushur 10 vite apo fiks në 10 vite, del nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim, nga zyrat e Edi Ramës, një tekst tjetër i ri i kodit penal.
Edhe njëherë, kodet plotësohen me veprat penale që krijohen, me praktikat që duhet të zbatohen, por të ndryshosh kod çdo 10 vite do të thotë se interesa tepër të mprehta të detyrojnë të ndërmarrësh një akt të tillë.

Dhe këtë kur e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediat, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat e narkoshtetit, shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë.

Ky kod ka rikthyer nenin 55 të diktaturës komuniste.
Imagjinoni ju tani, që në qoftë se ti thua se Irena Gjoka, me fakte, është një delinkuente, një kriminele, që ka fshehur krimet e saj, që është e dënuar me burg dhe që për shkak të këtij dënimi, ajo kurrë nuk mund të ishte magjistrate gjykatëse, por që e kanë futur si peng për ta keqshfrytëzuar në mënyrën më të egër.
Imagjinoni Altin Dumanin, i cili ka 3-4 shtëpi, tre apartamente dhe banon te shtëpia e vjehrrit. Thotë është e vjehrrit, po a hajde a është a nuk është, si e ndërtoi vjehrri është punë tjetër. I cili mban në dosjen e tij dokumentet zyrtarë që faktojnë se Taulant Balla është bashkëpunëtor kryesor i bandës së Elbasanit. I cili mban në dosje dokumente që faktojnë se prokurorë të SPAK janë bashkëpunëtorë të bandës së Elbasanit. I cili mban në dosje emra që kushëriri i tij i ka denoncuar se nxirrte në pritë rivalët, siç është Shpataraku.
Pra, Altin Dumani, i cili thuhet kundër një ryshfeti 700 mijë euro nuk dënoi për rastin e Jan Prengës, Altin Hajrin dhe që tani së fundmi fshehu për javë të tëra mandatin e arrestit të Troplinëve.
Pra, në qoftë se ti guxon dhe ia thua publikut këto, dënohesh.
Një mbrojtje të tillë, Enver Hoxha nuk ia ka dhënë kurrë Aranit Çelës.
Një mbrojtje të tillë, ky është një atentat i rëndë në themelet e fjalës së lirë dhe të transparencës.
Imagjinoni ju, ky njeri që shëtiti dy vjet duke marrë peng qeveritarë dhe duke kërkuar që të ndryshojë Kushtetuta për mandatin e tij, ka arritur me Edi Ramën dhe Ulsiun e kostumeve të Altin Hajrit, e 600 mijë eurove të çantës Louis Vouitton, të fusë nenin po fole për gjykatësit, dënohesh kaq dhe aq vite.
Atentat i rëndë ndaj fjalës së lirë, ndaj medieve.
Atentat i rëndë ndaj Kushtetutës.
Edi Rama tregoi se çdo ditë shpalos shpirtin katran të babait të tij xhelat, babait të tij biologjik xhelat që firmoste për varjen në litar të atyre që shkruanin kundër pushtetit të tij.