AKTUALITET, 28 Korrik 2025, 11:37

Gradaçela bosh dhe beton/ “Il Fatto Quotidiano”: Kush po fiton nga modeli Rama-Boeri

Gradaçela bosh dhe beton/ “Il Fatto Quotidiano”: Kush po
Rama dhe Boeri

Gazeta e njohur italiane “Il Fatto Quotidiano” i ka kushtuar një reportazh të gjatë “boom”-it të ndërtimit në Tiranë. Në fokus është vënë përfshirja edhe lidhja mes kryeministrit Edi Rama dhe arkitektit italian Stefano Boeri, emri i të cilit ka dalë së fundmi në një skandal me kryebashkiakun e Milanos.

Në shkrimin që lapsi.al sjell më poshtë të plotë thuhet se Tirana është mbushur me kulla. Deri në vitin 2030 Tirana duhet të zbatojë një një plan urbanistik që parashikon të ndërtojë gradaçela dhe blloqe me qindra mijëra m². Këto projekte janë dizajnuar për të ndërtuar shumë metra kub beton në një qytet ku jetojnë rreth 590 mijë banorë, por sipas “Planit Tirana 2030” parashikohet të jetojnë 1.6 milionë persona.

Në ndërkohë, në Tiranë mungojnë hapësirat publike, parqet, shkollat, transporti publik i besueshëm. “Megjithatë, kjo nuk është bërë pengesë që projekti i arkitektit italian Stefano Boeri, mik i ngushtë i kryeministrit shqiptar Edi Rama, të vihet në zbatim me përparësi, me lehtësira për ndërtuesit privatë.

Në një qytet ku zhvillimi urbanistik duket se ndjek vetëm interesat private dhe jo ato të banorëve, Boeri ka qenë projektuesi i planit “Tirana 2030” dhe ka qenë i pranishëm edhe në garat për ndërtimin e blloqeve të reja të banimit” – thuhet në shkrimin e “Il Fatto Quotidiano”.

Në artikull përmendet se projektet e mëdha si Tirana Riverside apo zona të tjera si ish-Fusha e Aviacionit, janë kthyer në kantiere të mëdhenj ndërtimi që përfitojnë nga ky plan. “Ka mungesë transparence në përzgjedhjen e operatorëve dhe arkitektëve, dhe përdoret një retorikë e bukur për “qytete të gjelbra”, por realiteti janë kulla të larta, beton dhe pak hapësira të përbashkëta” – thuhet në shkrim.

Gazeta citon se raporti mes Edi Ramës dhe Stefano Boeri-t është i kahershëm. Që nga koha kur Rama ishte Ministër i Kulturës, më pas kryetar bashkie dhe tani si kryeministër, Boeri ka qenë pjesë e projekteve më të rëndësishme urbanistike në Shqipëri.

Në vitin 2016, në një konferencë për arkitekturën, ai ishte i pranishëm për prezantimin e “Tirana 2030”. Në artikullin që sjell lapsi.al thuhet se Boeri përfitoi nga ky rol, edhe për të marrë projekte të tjera private në Tiranë. Në fund, artikulli vë në dyshim dobinë reale të këtij modeli zhvillimi urban për qytetarët e Tiranës, dhe nënvizon lidhjet mes arkitektit italian dhe kryeministrit shqiptar.

Pjesa e parë

Gradaçela bosh dhe beton – Ja Tirana e modelit “Boeri”

Arkitekti i famshëm (archistar) ka projektuar për mikun Edi Rama planin e qytetit dhe 4 zona për privatët: miliona metra katrorë beton, pak gjelbërim dhe hapësira publike, shumë fitime për tregun e pasurive të paluajtshme.

“Tirana Riverside”, “Capitol Residences”, “Downtown One”, “MET Building”… emrat tingëllojnë si një përzierje mes planifikimit urban dhe marketingut elitar. Janë ndër projektet më të mëdha të zhvillimit urban të planit Tirana 2030 (që duhet të përmbyllet në atë vit), por që kanë nisur të marrin formë veçanërisht gjatë pandemisë së Covid-it.

Në qytet, ndërkohë, mungojnë hapësirat e përbashkëta, hapësirat publike, gjelbërimi, dhe transporti publik nuk është i sigurt apo i qëndrueshëm. Por gjithsesi, këto ndërtime vazhdojnë, dhe ndonjëherë edhe mbështeten nga fonde publike.

Kush përfiton nga kjo? Sigurisht ndërtuesit. Kush humb? Banorët. Dhe pyetja që shtrohet është: për kë po ndërtohet Tirana e re? “Për banorët e ardhshëm që, sipas planit, do të jenë 1.6 milionë” – thonë autoritetet.

Por tani për tani, këtu jetojnë vetëm rreth 590 mijë banorë. Nuk është çudi që shumë ndërtesa të reja janë të zbrazura, shumë apartamente nuk janë të banuara. Ndërtohet për tregun, jo për njerëzit.

Në këtë kontekst, për t’u përmendur është roli i arkitektit italian Stefano Boeri, autor i planit “Tirana 2030”, por edhe pjesëmarrës në disa prej garave për ndërtimin e pallateve.
Boeri ka marrë pjesë në disa prej garave publike (së bashku me SON Engineering & Construction Group) për projektet e reja të ndërtimit në zona të mëdha urbane të Tiranës, si ajo e Fushës së Aviacionit.

Kjo përfshin, për shembull, ndërtimin e disa miliona metrave katrorë sipërfaqe ndërtimi në qendra të reja banimi. Një pjesë e vogël e sipërfaqes do të jetë për gjelbërim apo shërbime publike, pjesa tjetër – për shitje të lirë në treg.

Në realitet, hapësirat publike janë shpesh vetëm në letër. Në shumë raste, ajo që quhet “parqe” janë thjesht hapësira mes dy grataçelave, ndërsa mungojnë shërbime të nevojshme si shkolla, çerdhe apo transport i mirë.

Në këtë mënyrë, ndërtimi duket se ndjek një logjikë spekulative, e jo të nevojave reale të popullsisë. Tirana nuk po rritet për njerëzit që jetojnë në të, por për të prodhuar fitim për pasuritë e paluajtshme.

Marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Stefano Boeri-t është e gjatë. Që në vitin 2005, kur Boeri botoi një artikull për Rilindjen Urbane dhe e përmendi Ramën si një lider “vizionar”, dyshja kanë punuar së bashku në disa projekte.

Në 2016-ën, kur u prezantua plani “Tirana 2030”, Boeri ishte aty si autor kryesor i projektit. Ndërkohë, studioja e tij ka fituar disa projekte edhe për ndërtime private në qytet.

Në fund, mbetet pyetja: A është ky një model i drejtë urban për qytetin? Apo një projekt për të pasurit, ndërsa shumica e popullsisë përjashtohet nga Tirana e së ardhmes?

Pjesa e dytë

"Sistemi Tirana: beton, “ArchiArmy” dhe hotele gjigante' 

Pemët në qendër të Tiranës ndërthuren me kantierët që rrethojnë sheshin Skënderbej, ku po ngrihen grataçela të reja. Kulla e Sahatit, dikur ndërtesa më e lartë e qytetit, sot shikon mbi një zonë këmbësorësh ku ndodhet xhamia e vjetër, mozaiku i madh i Muzeut Kombëtar, por edhe kulla gjigante e një hoteli dhe, pak më tutje, një godinë e re 85 metra e lartë në ndërtim: Skanderbeg Building, projektuar nga studioja holandeze MVRDV.

Është një pallat-skulpturë me formën e një fytyre.

«Parafiguron heroin kombëtar që i ka dhënë emrin sheshit – shpjegon një guidë turistike – por shumëkush thotë se aty ngjajnë tiparet e kryeministrit Edi Rama».

Zona e kantierëve është e gjerë. Mbi barrierat shfaqen renderat e Tiranës së së ardhmes, një qytet që do të zhvillohet në vertikale, siç parashikohet nga plani rregullues “Tirana 2030” i arkitektit Stefano Boeri.

Pak hapa më tej, një kantier tjetër: “Eyes of Tirana”, një kullë 31-katëshe, 130 metra e lartë, projektuar nga një studio daneze. Ndërtesa, e lidhur me selinë e Dhomës së Tregtisë, do të ketë hotel, pishinë, tarracë panoramike, dyqane dhe madje edhe kazino. Projekti ka hasur probleme me vëllime ndërtimi të padeklaruara.

"Shteti i ka shpronësuar disa prej këtyre zonave – ka deklaruar Rama – si pjesë e rikthimit nën kontroll të çdo metri katror abuziv"

Çmimet dhe tregu i pasurive të paluajtshme

"Deri në vitin 2018 – tregon Alba Kepi, korrespondente për mediat shqiptare – sheshi qendror nuk lejohej të prekej për shkak të vlerës së tij historike. Më pas, kufiri i mbrojtjes u ridizenjua nga qeveria dhe pranë sheshit filluan të ngrihen grataçela".

 Sot, një metër katror në këto pallate mund të kushtojë deri në 5.000 euro, çmime të përballueshme vetëm për kompani të mëdha ose hotele luksoze.

'Nuk njoh asnjë njeri që jeton aty; – thotë një tregtar i zonës qendrore –. Njerëzit e zakonshëm jetojnë në pallatet e vjetra ose zhvendosen drejt lumit. Duken bosh.

Gazetarja ekonomike Ola Xama ka treguar se në vitin 2023 të paktën 51.129 banesa nga 292.000 të lidhura me shërbimin kombëtar të energjisë elektrike nuk kishin konsum. Që nga viti 2018, apartamentet e pabanuara janë triplikuar. Rama gjithmonë ka mohuar këto të dhëna.

Megjithatë, sektori i ndërtimit është bërë një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike të vendit, me mbi 3 miliardë euro investime vetëm gjatë dy viteve të fundit.

"Vetëm në Tiranë, në 7 vitet e fundit, janë dhënë leje ndërtimi për rreth 12 milionë metra katrorë sipërfaqe banimi e komerciale, një pjesë e madhe e të cilave në qendër të qytetit".

Urbanisti Gentian Kaprata shpjegon: "Sot në Tiranë janë mbi 100 kantiere të hapura". Kryeministri është në krye të Këshillit Kombëtar të Territorit, organi përgjegjës për projektet strategjike dhe për të gjitha ndërtesat mbi gjashtë kate.

 Rama vlerëson arkitektët dhe ka kërkuar që ndërtesat e reja të firmosen nga studio me famë ndërkombëtare: italiane, holandeze, veriore.

«Arkitektët shqiptarë janë të përfshirë vetëm në mënyrë të pjesshme – thekson Doriana Musaj, pedagoge në Universitetin Polis –. Hotelet përfitojnë lehtësime fiskale dhe shpesh studiot vendase punojnë në partneritet me archistar të huaj».

 Megjithatë, si gjithmonë ndodh me investime të mëdha, ato sjellin me vete rreziqe të mëdha.

Raporti i vitit 2022 i Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave e përmend sektorin e pasurive të paluajtshme si një ndër mjetet kryesore për pastrimin e kapitalit. Në raportin e vitit 2024 të AIF (Autoriteti i Informacionit Financiar), ndër shembujt e përmendur del përfshirja e një funksionari publik dhe e një subjekti kriminal në blerje-shitjet e pasurive të paluajtshme.

 Në fakt, biznesi i ndërtimit mbetet shumë tërheqës për kapitalet me origjinë të dyshimtë.

“Kostoja e ndërtimit dhe e fuqisë punëtore arrin deri në 800 euro për metër katror, ndërsa vlera e shitjes mund të katërfishohet për shkak të pozicionit të favorshëm”, thuhet në raport.

Po si qëndron me vlerësimet se vetëm një e treta e kapitaleve vjen nga sektori bankar?

 “Agjencia Kundër Pastrimit të Parave në Shqipëri – thotë Rama – i njeh investitorët, bankat, markat ndërkombëtare të hotelerisë dhe klientët: të gjithë janë nën dritën e diellit si blerës të hapësirave”.

 Për kryeministrin, në fakt, “ka paragjykime dhe akuza që prekin sferën penale (pa u bazuar në fakte) e që rishfaqen sa herë flitet për ndryshimin historik të Tiranës ose të Shqipërisë”, si edhe “kur kthehemi të diskutojmë për anëtarët më të mëdhenj të asaj që ai e quan ‘Albanian ArchArmy’”.

As transformimi i Tiranës dhe i Shqipërisë, thotë ai, as arkitektët që kontribuojnë në të “nuk mund të trajtohen duke nisur nga formula të paqarta e të paprovuara”.

 Të dhënat, megjithatë, nuk janë aq të qarta.

'Ekziston, për shembull, fenomeni i shitjes me leasing – shpjegon Kaprata –. Një ndërtues paguan furnizuesit dhe nënkontraktorët me sipërfaqe të ndërtuara në këmbim të punës. Në regjistrat shtetërorë ky stok konsiderohet i shitur, por në të vërtetë nuk është. Një apartament është i banuar dhe 19 të tjerë janë bosh', shton ai.

 “Ky është një model i keq – Milano – përfundon Alba Kepi –. Nëse në Milano hapësira urbane pasqyron zemrën e saj ekonomike dhe financiare, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Tiranën, ku popullsia po pakësohet dhe po varfërohet. As turizmi nuk mund të justifikojë këtë flluskë rezidenciale dhe fshirjen e historisë sonë”. /Lapsi.al, Syri.net 

Gradaçela bosh dhe beton/ “Il Fatto Quotidiano”: Kush po