AKTUALITET, 28 Korrik 2025, 10:52

"Nuk erdhi asnjë efektiv police", u procedua penalisht për dhunë, gazetari vlonjat zbulon se çfarë ndodhi në lokalin ku u rrah kamerieri (VIDEO)

"Nuk erdhi asnjë efektiv police", u procedua penalisht për
18-vjeçari i dhunuar dhe gazetari Mehmeti

Policia ka dhënë detaje të reja sa i përket ngjarjes së ndodhur në një hotel të njohur në zonën e Skelës në Vlorë ku një 18-vjeçar që punonte si kamarier u dhunua teksa punonte. Ish-shefi i Rrugores së Vlorës, aktualisht oficer i Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi, dhunoi së bashku me një person tjetër, kamerierin në lokal, për shkak të një ngatërrese me porosinë.

Isufi u pezullua nga detyra pas publikimit të ngjarjes dhe videos që e tregonte teksa godiste me shpulla dhe grusht në fytyrë 18-vjeçarin.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për media policia bën me dije se pas ngjarjes, pronari i hotelit ku ndodhi ngjarja, Vasil Bedinaj bashkë me disa persona të tjerë është konfliktuar fizikisht me oficerin e policisë dhe shokune e tij duke i shkaktuar dëmtime fizike. Mes tyre ka qenë edhe gazetari Enrik Mehmeti.

“Në orën 22:00 tek tavolina e shtetasve Ardjan Isufi dhe Leart Bimo rezulton se ka shkuar pronari i lokalit shtetasi Vasil Laver Bedini, i datëlindjes 07.07.1972, banues në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, dhe pas disa çastesh debatesh situata ka agravuar në konflikt fizik duke u përfshirë edhe gazetari lokal Enerik Mehmeti si dhe disa shtetas të tjerë ende të paidentifikuar.

Nga ky konflikt ngelën të dëmtuar shtetasit Ardjan Isufi (i shtruar në spital) dhe Leart Bimo.

Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë u proceduan shtetasit:

Vasil Bedinaj, për veprën penale “Plagosja e Lehtë me dashje”.
Enerik Mehmeti, (gazetar), për veprën penale “Plagosja e Lehtë me Dashje”.
Leart Bimo, për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje””, sqaron policia.

Por gazetari Mehmeti, në një reagim në krah të 18-vjeçarit të dhunuar i ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, duke fajësuar policinë.

"Në karrierën time si gazetar, jam mësuar të faktoj çdo lajm që publikoj dhe t’u bëj ballë çdo lloj presioni — qoftë nga “të fortët”, qoftë nga drejtues institucionesh.
Mbrëmë u përballa me një presion të tillë: të mos publikoja pamjet ku ishte i përfshirë një drejtues policie. Natyrisht, një kërkesë e tillë është e papranueshme për mua. Asnjëherë nuk kam dhe nuk do të pranoj presione të tilla, pavarësisht se nga kush vijnë.
Sapo mora dijeni për ngjarjen — se ishte dhunuar një i ri sapo kishte mbushur 18 vjeç nga një drejtues policie dhe një person tjetër që e shoqëronte — u nisa menjëherë për të siguruar pamjet filmike dhe për të marrë dëshminë e të dhunuarit. Fillimisht i kërkova pamjet, pastaj u mundova të qetësoja të riun dhe, nëse do të mundej, të më jepte një intervistë për ngjarjen. Çuditërisht, ndonëse bëhej fjalë për dhunën e ushtruar nga një drejtues policie ndaj një djali të ri, policia vonoi shumë të mbërrinte në vendngjarje — madje, unë isha menjëherë pas ngjarjes ndërkohë që asnjë efektiv nuk kishte mbërritur. Gjatë kohës që po përgatiteshim për intervistën, ndodhi një përplasje tjetër. Përsëri, policia nuk ishte ende aty. Vijova punën time duke intervistuar të riun dhe kolegun e tij kamarier.
Kur po kërkoja të intervistoja dhe drejtuesin e biznesit, u shfaq vetëm nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Klodian Kondi, pa asnjë efektiv tjetër të grupeve të gatshme. E theksoj: ASNJË efektiv policie. Për këtë mbaj përgjegjësi penale për çdo fjalë që po deklaroj.Pas një ore, më kërkuan të paraqitem në komisariat. Ndër të tjera, po i drejtoj një pyetje të thjeshtë zëvendësdrejtorit të policisë:"A më kërkuat të mos publikoj pamjet ku kolegu juaj dhunon kamarierin?
"Dhashë deklaratën time, ku sqarova se prania ime në vendngjarje kishte vetëm një qëllim: të bëja punën time si gazetar.Sot, për habinë time, pashë që në komunikatën zyrtare është përmendur emri im, pa u marrë asnjë dëshmitar i pranishëm, pa u parë kamerat e sigurisë dhe pa asnjë provë konkrete.
Prandaj, atë që nuk keni arritur ta bëni ju — të mblidhni prova dhe të merrni dëshmitarë — do t'jua sjell unë.Sot e nis me dëshminë e Aronit, të riut që u dhunua.
Dëgjojeni me kujdes. Nëse nuk pyesni dot dëshmitarët apo të siguroni pamjet filmike, administrojeni këtë dëshmi si provë ligjore.
Sot kam marrë qindra mesazhe mbështetjeje nga njerëz që njohin korrektësinë time në profesion. Kjo është forca ime më e madhe: ndjekësit dhe besimi i qytetarëve. Ju premtoj që nuk do t’i zhgënjej kurrë përballë asnjë lloj presioni — qoftë nga kriminelët, qoftë nga efektivë të policisë që shkelin ligjin. Apo më keq: kur janë të dy bashkë në një tavolinë.
Duke ftuar drejtësinë të bëj punën e saj kam një thirrje për nën drejtorin e policisë që nëse nuk do të siguroni dot asnjë fakt për akuzën, do të doja të kisha një kërkesë faljeje publike për njollosje të emrit. Nuk do të habitesha se në vazhdimësi mund të ketë edhe hakmarrje nga kolegë të drejtuesit të policisë por ju rikujtoj që sot, nuk janë më ata drejtues qëndror policie si shumë vite më parë kur mbyllnin sytë para paligjshmërisë. Policia ka djem dhe vajza të shkëlqyer dhe këta individë si rasti i djeshëm, janë me kokrra!
Dua të gjej rastin të falenderoj drejtorin e përgjithshëm të policisë Ilir Proda dhe Kryeministrin Edi Rama për marrjen e menjëhershme të masave për ngjarjen e ndodhur.
UNË NUK DO TA MBYLL KURRË GOJËN PËR TË PUBLIKUAR VETËM TË VËRTETËN PAVARËSISHT PRESIONEVE TË ÇDO LLOJ FORME, QOFSHIN EDHE ME PROCEDIM PENAL !"- shkroi Mehmeti.