TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qendra e Tiranës është bërë gardh me forca policore. Forcat e policisë janë shtuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” , zonë e cila cilësohet brenda perimetrit të sigurisë, për shkak të mbajtjes së samitit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ptotestës sē opozitës.
Brenda kësaj zone ka patur shtim të automjeteve, por edhe të autoboteve të policisë. Rreth 1500 efektivë do të jenë në terren, ndërsa akse të shumta rrugore janë bllokuar për kalimin e delegacioneve.
Në këtë vend, opozita ka paralajmëruar organizimin e protestës. Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se manifestimi organizohet në mbrojtje të vlerave europiane, të cilat sipas tij, po rrezikohen dhe po kërcënohen nga kreu i qeverisë.
“ Është dita e qytetarëve që aspirojnë për liri, dinjitet dhe transparencë. Është dita e shqiptarëve që besojnë se Shqipëria është një tokë e bekuar, që me mirësitë dhe rezervat e saj, mund të begatojë kombin. Me kushtin e vetëm, të ketë një qeverisje demokratike. Me kushtin e vetëm të ketë një qeveri të palidhur me krimin, siç është qeveria e Edi Ramës”, tha zoti Berisha.

Opozita ka kërkuar që të protestojë përpara selisë së qeverisë. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga policia, sipas së cilës kjo zonë është pjesë e perimetrit të sigurisë për takimin e nivelit të lartë.
“Siguria e 32 delegacioneve shtetërore me udhëheqësit e tyre nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve të lartë të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vendosim sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, mbi dëshirën gjeografike për të protestuar”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku. Ai tha se opozita është e lirë të zhvillojë protestën e saj, në çdo zonë tjetër jashtë atij që konsiderohet si perimetër sigurie.
Në fotot e sjella nga LSA gardhi është sa kalon urën e madhe të Lanës, duke i treguar opozitës se zona është e bllokuar. Mbetet për t'u parë se çfarë qëndrimi do të mbajë opozita, kur vendi i protestës është "tokë e xanun" nga qeveria.