AKTUALITET, 5 Dhjetor 2022, 22:09

Neritan Sejamini shpjegon cilat ishin problemet e primareve të PD-së

Neritan Sejamini shpjegon cilat ishin problemet e primareve të PD-së

Analisti Neritan Sejamini tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se primaret e PD-së të zhvilluara të dielën kishin probleme për listat e votuesve, faktin që kandidatët sjellin votues për t’i rregjistruar dhe kohën e shkurtër të zhvillimit të fushatës për kandidatët. 

“Unë kam qenë mbështetës i primareve, por ka një problem me listët e votuesve. PD, si në zgjedhjet e FRPD-së si në këto zgjedhje, kanë zhvilluar një garë elektorale ku listat e votuesve nuk kanë qenë të njohura që në fillim.

Kjo duhet të mbarojë, sepse problemi i listave të votuesve është thelbësor në çdo lloj gare. Nuk e di pse PD që në kohën e zotit Basha në vitin 2013 ka përqafuar një metodë që nuk është në asnjë vend të botës: kandidatët sjellin votues për t’i rregjistruar, ndërkohë që rregulli kudo në botë është që listat mbyllen dhe ti i heq të drejtën votuesit pas datës së përcaktuar. Kandidatët kanë luajtur me rregulla loje që për mua janë të gabuara. Tjetra është koha e primareve. Primaret e bëra në 3 javë apo një muaj e kanë vënë gjithë partinë në stres, nuk ka patur garë dhe debat, nuk janë njohur, sepse nuk bëhen në një kohë kaq të shkurtër që të jenë të suksesshme. Nuk mundet që t’i sjellësh votuesit një ditë përpara votimit. Tjetra, duhet tyë ketë disa rregulla të qarta, kush regjistrohet dhe kush jo. Primaret duhen dhe duhet të vazhdojnë”-tha Sejamini.