AKTUALITET, 5 Dhjetor 2022, 22:59

Pse nuk protestoni te Sheshi “Skënderbej”?/ Flamur Noka sqaron pse do të shkojnë nesër te kryeministria

Pse nuk protestoni te Sheshi “Skënderbej”?/ Flamur Noka sqaron

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se nesër opozita do të protestojë përpara kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke garantuar liderët evropianë se siguria e tyre nuk do të cenohet. Ai përjashtoi çdo mundësi që opozita të protestojë në vend tjetër, duke u shprehur se protesta do të jetë shumë paqësore.

Pjesë nga biseda

Noka: Nesër është ditë e madhe për Shqipërinë, sepse liderët evropianë janë këtu për t’i thënë Rusisë që këtu ka një vijë që nuk kapërcehet dhe Shqipëria është Evropë dhe nuk mund të jetë bisht apo shtojcë e politikave të Rusisë. Por është edhe ditë e madhe demokracie nesër, sepse shqiptarët e lirë do të demonstrojnë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” për t’i thënë evropianëve se aty në tavolinë një njeri që ka bërë gjithçka në këto 9 vite për të shpopulluar Shqipërinë, ku 744 mijë shqiptarë janë përzënë prej rregjimit të tij me dhunë. Keni në tavolinë një autokrat që e ka mbushur Shqipërinë me kanabis, e ka kthyer në Kolumbi të Evropës; keni një autokrat që e ka kthyer Shqipqërinë në një pikë traziti të drogave të forta që furnizojnë Evropën; keni një kryeministër që ka vrarë votën e lirë; një kryeministër që korrupsionin e ka ngritur në sistem dhe e trajton Shqipërinë si të ishte çifligu i tij. Inceneratorët dhe Porti i Durrësit janë dy megaaferat e tij. Ju jeni liderë të Evropës që keni iniciuar një proces të Berlinit, ndërsa Edi Rama po luan lojën e Rusisë për “Ballkanin e Hapur” në Shqipëri.

Rakipi: Pse nuk protestoni te Sheshi “Skënderbej”?

Noka: Demokratët nuk mund të protestojnë në një shesh që është mbushur me kioska dhe shiten qofte. Nuk kemi pse protestojmë përballë Bankës së Shqipërisë se nuk kemi asnjë punë me guvernatorin e bankës. Demokratët do të protesojnë aty ku është e keqja të kryeministria. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është tashmë kthyer në simbol të protestave të opozitës dhe PD-së. Askush nuk mund ta ndalojë të drejtën e protestës, asnjë lider dhe asgjë në këtë samit nuk cenohet nga demokratët. Kurrë. Garancia është që protesta është 1000 për qind jo 100 për qind mëse paqësore. Berisha ka realizuar protestat nga më të mëdhatë dhe më paqësoret dhe më civilet dhe më qytetaret.

Nesër liderët e Evropës e dinë që nuk kanë përballë një shoqatë anarkistësh, por kanë përballë një opozitë të kulturuar dhe të qytetëruar, e cila i mirëpret, e cila ëndrrën e saj e ka patur që të shkojnë te modeli që ata aplikojnë, por është një popull që do t’u thotë që këtu keni monizëm. Ngrihuni, reagoni, mos mbështetni këtë sulltan.

Abilekaj: Nëse nuk u lejojnë të hyni në perimetrin e sigurisë, çfarë do të bëni?

Noka: Askush nuk të ndalon për të protesuar. Ne garantojmë që asnjë xham nuk thyhet, me asnjë polic nuk kemi problem.