AKTUALITET, 5 Dhjetor 2022, 22:46

"Dështim më të madh se primaret e PD-së nuk ka!"/ Dyrnjaja: Nuk bëhet fjalë për defekte, por për manipulim!

"Dështim më të madh se primaret e PD-së nuk ka!"/
Denis Dyrnjaja në TPZ

Denis Dyrnjaja i quan primaret e zhvilluara në Partinë Demokratike "një dështim të madh". 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", gazetari deklaroi se primaret u manipuluan dhe se do të kishte qenë më mirë që kandidatët të caktoheshin nga Berisha, sesa të bëhej një proces fals dhe në fund lidershipi i PD-së të mos mbajë përgjegjësi në rast humbjesh të zgjedhjeve. 

"Çfarë është ky sukses që thoni për primare? Dështim më të madh se ky nuk ka. Më mirë me emërim, sesa alibi që nëse humbin pastaj s'ka përgjegjësi lideri. Prapë kështu vendimi i kryetarit është, por gjasmë sikur ka primare.

Këto nuk janë defekte, por është rrëzuar sistemi në themel dhe janë manipuluar. Ai është një skandal i madh. Ja keni çuar tavë në thes pushtetin Edi Ramës (i drejtohet Flamur Nokës). 

Primaret ishin totalisht proces fals. E dyta, është alibi totale që u zhvilluan zgjedhje dhe u zgjodhen kandidatët më të mirë. Berisha duhet të merrte përgjegjësinë të thoshte këta janë kandidatët. Për shkak se nuk do të marrë përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve, del ky variant.

Ne kemi njeriun që duam të heqim për manipulim zgjedhjesh, këta manipulojnë zgjedhjet e veta brenda", deklaroi Dyrnjaja.