AKTUALITET, 28 Janar 2024, 19:15

Berisha akuzon gardistin e 21 janarit: Ka ndarë me Erion Veliajn dhe ujësjellësin mbi 30 mln euro

Berisha akuzon gardistin e 21 janarit: Ka ndarë me Erion Veliajn dhe
Berisha dhe Malaj

Sali Berisha, nga dritarja e papafingos nga ku u flet përnatë mbështetësve të mbledhur te rruga "Mustafa Matohiti", akuzoi kryetarin e bashkisë së Matit, Agron Malaj, se ka vjedhur bashkë me Veliajn në Tiranë 30 milionë euro.

Malaj ishte njëri prej gardistëve të 21 janarit 2011, ku u qëllua mbi turmën e protestuesve të PS-së, duke vrarë 4 dhe plagosur dhjetra të tjerë. 

Pas ardhjes në pushtet Rama e bëri Malajn kryetar të PS-së Mat dhe më pas kryebashkiak.

Fjala e Berishës

Me praninë tuaj, sakrificën tuaj të përnatshme ju jeni bërë burim shprese për çdo shqiptar.
Ju po zgjoni çdo ditë e më shumë, luanin e fjetur tek shqiptarët.
Ju po trimëroni dhe rrisni guximin e shqiptarëve kudo që janë.
Unë sot kam një përshëndetje të përzemërt për përfaqësuesit e Matit dhe Bulqizës që janë mes jush.
Dua të përshëndes demokratët e Matit, në 33 vjetorin e themelimit të degës së PD.
Të përshëndes demokratët e Bulqizës.
Të dashur miq!
Themelimi i PD-së në Mat është një akt epik. Mati 33 vite më parë mbi të gjitha ishte qendër ushtarake, qendër divizioni, qendër të themi të vërtetën, regjimi nga një anë kishte persekutuar thellësisht banorët e Matit, nga ana tjetër kishte bërë gjithçka për të mbajtur nën kontroll të plotë, për të shtypur sa më shumë ata.
Atë ditë, Azem Hajdari në një miting me guximtarët e Matit, u përball me një situatë ndër më të rrezikshmet.
Falangat ekstremiste, terroriste, donin me çdo kusht të provokonin gjakderdhje.
Por dështuan. Demokratët, për armë të vetme kishin guximin dhe ngadhënjyen mbi ta.
Dega e themelua dhe dega e Matit do të shndërrohej në një nga degët më të suksesshme të PD.
Mati, Bulqiza, Dibra janë sot zonat më të ndëshkuara, më të vjedhura, më të plaçkitura, më të rrënuara.
Të dashur miq!
Denisa foli për Agron Malajn. Por a e dini ju se ku vjedh më shumë Agron Malaj? Vjedh në Tiranë me Erion Veliaj. Firma e tij me emër të të vëllait, ka ndarë me Erion Veliajn dhe ujësjellësin mbi 30 mln euro.
Është një rrjet i tmerrshëm hajnash, hajdutësh të pamëshirë, që ndajnë pasuritë tuaja me njëri tjetrin.