AKTUALITET, 11 Tetor 2025, 13:57

Ben Blushi gati për librin e ri, rrëfen "sagën" për ta botuar: E para më tha nuk më lë ai lart, e dyta u tmerrua, i treti tha jam ateist!

Ben Blushi gati për librin e ri, rrëfen "sagën"

Shkrimtari dhe publicisti i njohur Ben Blushi ka njoftuar se libri i tij më i ri do të dalë në treg në fillim të muajit nëntor.

Edhe pse nuk ka zbuluar ende titullin apo temën e romanit, Blushi ka ngjallur kuriozitet me një rrëfim ironik në rrjetet sociale, ku tregon pengesat dhe reagimet që mori nga tre botues të ndryshëm para publikimit.

“Botuesja e parë më tha nuk e botoj dot, sepse nuk më lë ai lart. Në fillim mendova se ishte Zoti, por më vonë mora vesh se ishte burri i saj", shkruan Blushi.
“Botuesja e dytë e lexoi deri në mes dhe u tmerrua aq shumë sa nuk lexoi dot gjysmën tjetër. Botuesi i tretë më tha: nuk kam frikë, jam ateist. Zgjodha të tretin", shton autori me ironi.

Mesazhi i plotë i Ben Blushit

NJË HISTORI E SHKURTËR E ROMANIT TIM TË RI

Isha në shtypshkronjë për të korrektuar variantin përfundimtar të romanit tim të ri që del në fillim të muajit nëntor.

Është herët për të treguar më shumë për përmbajtjen, por për të qetësuar dyshimet e mia ia dhashë dorëshkrimin dy shkrimtarëve dhe tre botuesve.

Shkrimtari i parë tha se ky roman e ndan letërsinë shqipe në dy pjesë: para dhe pas tij. Shkrimtari i dytë tha duhet ta botosh patjetër dhe me çdo sakrificë.

Botuesja e parë më tha nuk e botoj dot sepse nuk më lë ai lart. Në fillim mendova se ai lart ishte Zoti, por më vonë mora vesh se ishte burri i saj.

Botuesja e dytë e lexoi deri në mes dhe u tmerrua aq shumë sa nuk lexoi dot gjysmën tjetër. Botuesi i tretë më tha nuk kam frikë. Jam ateist. Zgjodha të tretin. Nuk e di a do më duhet një i katërt.