AKTUALITET, 10 Tetor 2025, 21:31

“Gjyqtari Kalaja ka qenë model në Shqipëri”/ Ish-kreu i Apelit: Thirrja ime të vendosen policë në gjykata

“Gjyqtari Kalaja ka qenë model në Shqipëri”/ Ish-kreu

Ish-Kreu i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj foli në News24 mbi ngjarjen e rëndë të së martës, ku në Gjykatën e Apelit gjatë një seancë gjyqësore për çështje pronësie u vra me armë zjarri gjykatësi Astrit Kalaja, teksa jepte vendimin.

Malaj vlerëson Kalajan si një nga gjyqtarët më model në Republikën e Shqipërisë. Më tej theksoi nevojën që kanë gjykatat për të pasur policë në godina, për mbrojtjen e gjyqtarëve.

"Zoti Kalaja ka qenë nga gjykatat model të RSH, nga shkollimi, dijes, qëndrimit ligjor në gjykimin e çështjes dhe performancës. Janë larguar disa gjyqtarë që nuk e kanë merituar largimin dhe janë futur disa që nuk e kanë integritetin e zotit Kalaja.

Ishte një shok i madh. Vritet një gjyqtar në sallën e gjyqit akoma më e rëndë. Në sallën e gjyqit në tërë jetën tonë si gjyqtarë, nuk ka ndodhur asnjëherë një ngjarje e tillë. Ka qenë të rralla episodet", tha Malaj.

"Më parë, gjykatat kishin punonjës policie dhe bashkëpunim i ndërsjellë i policisë me gjykatat për sigurinë e magjistratëve, ndërsa sot nuk ka fare prani të forcave të rendit në gjykata", theksoi ai.