TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Politika shqiptare ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa mëngjesin e kësaj të marte nisën zyrtarisht festimet me ngritjen solemne të flamurit, edhe figurat politike filluan të postonin urimet e tyre.
Presidenti Bajram Begaj ka ndarë një urim për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke vlerësuar arritjet e saj në këtë moment të rëndësishëm. Begaj shpreh përuljen dhe mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në lirinë e saj, si edhe ndaj SHBA-ve e Perëndimit për mbështetjen e palëkundur.
Në fund, ai përmbyll me një thirrje për të ecur përkrah në rrugën drejt BE-së.
“Gëzuar Kosovë!
Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare.
Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!
Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Le të ecim bashkë drejt BE-së më të bashkuar se kurrë!
Bashkë, jetë e mot!”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë urimet e tij me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur krenarinë dhe respektin për këtë moment historik të kombit shqiptar.
Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, ai u drejtua motrave dhe vëllezërve në Kosovë me urimet më të përzemërta, duke e cilësuar këtë ditë si një nga aktet më të ndritura në historinë moderne të kombit shqiptar. Kryetari theksoi se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një ditë historike lirie, dinjiteti dhe drejtësie, që simbolizon sakrificën dhe vendosmërinë për shtetndërtim dhe të ardhmen euroatlantike.
“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Qofsh gjithmonë e lirë dhe e bekuar”, shprehet Peleshi në mesazhin e tij të urimit.