AKTUALITET, 5 Prill 2023, 14:46

BE edhe njëherë kundër projektit të Portit të Durrësit/ Varhelyi u përgjigjet deputetëve të opozitës: I kemi bërë të qartë qeverisë shqiptare...

BE edhe njëherë kundër projektit të Portit të

Një tjetër 'refuzim' nga BE për projektin e Portit të Durrësit.

Komisioneri për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi, i është përgjigjur sot letrës së 20 deputetëve të opozitës në lidhje me aferën e Portit të Durrësit.

Deputetët e PD iu drejtuan me një letër zëvendëspresidentes së BE, Margrethe Vestager, por përgjigjja ka ardhur nga komisioneri Varhelyi.

Në letër drejtuar, deputetët ngrenë shqetësimin se afera e Portit të Durrësit shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Nga ana tjetër Varhelyi shkruan se “Komisioni Europian i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme përputhjes me MSA-në”.

“Në komunikimet me autoritetet shqiptare, Komisioni ka nënvizuar nevojën për të siguruar që projektet e kësaj marrëveshje të nënshkruar në vitin 2020 mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë edhe rizhvillimin e Portit të Durrësit, të jenë në përputhje me parashikimet e MSA, në veçanti në fushat e prokurimeve publike dhe ndihmës shtetërore”, shkruan komisioneri europian.

Varhelyi thekson në letër se një qëndrim i tillë i është bërë i qartë palës shqiptare edhe gjatë Këshillit Shqipëri-BE të mbajtur më 16 mars.

“Projektet duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mos-diskriminimit”, thuhet më tej në letër.

Po ashtu, Varhelyi rikujton se BE e ka anuluar fondin që ishte vendosur për Portin e Durrësit pasi qeveria shpalli se porti tregtar do jetë në Porto Romano.