AKTUALITET, 7 Shtator 2023, 22:28

Bardhi jep fjalën publikisht: Nëse Berisha do të jetë kryetari i PD-së, nuk do të kandidoj më për deputet

Bardhi jep fjalën publikisht: Nëse Berisha do të jetë

Gazment Bardhi ka dhënë publikisht fjalën se nëse Berisha do të jetë kryetari i Partisë Demokratike dhe kandidat për kryeministër, nuk do të kandidojë më për deputet.

Sipas deputetit demokrat betejën për bashkimin e opozitës po e bën jo për interesin e tij personal, por për të kontribuar në rrëzimin e qeverisë.

“Nuk kam asnjë ambicie në këtë drejtim, në këtë moment. Gjënë që kam bërë nuk e kam bërë për veten time, nuk e kam bërë për mua. Unë kam thënë që nëse zoti Berisha do të jetë kryetari i Partisë Demokratike dhe kandidat për kryeministër, unë nuk kandidoj më për deputet.

I qëndroj kësaj si deklarate dhe e kam shpjeguar këtë qëndrim me faktin që oferta jonë do të duhet të jetë një ofertë e besueshme për qytetarët. Po të ishte për komoditet dhe zgjidhje politike, isha shumë komod, zoti Basha kryetar partie, unë numri dy i partisë, nëse betejën do ta bëja për vete apo për mandatin tim,” – u shpreh Bardhi për Euronews.

Pas mbledhjes së 5 shtatorit ku morën pjesë 43 deputetë të PD-së, kanë nisur edhe pyetjet se kush do të jetë kryetari i grupit parlamentar të opozitës, duke përfolur emrin e Gazment Bardhit, si "shpërblim" për afrimin me grupin e Berishës. Gazment Bardhi ishte kryetar i grupit parlamentar të PD-së, derisa Basha e shkarkoi me ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar, duke emëruar veten. 

Kryetari i PD-së Sali Berisha tha sonte se drejtuesi i grupit parlamentar do të zgjidhet gjatë takimeve progresive që do të bëhen mes deputetëve të PD-së.

"Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike do të përcaktohet në takimet progresive që do të bëhen. Një gjë është si sigurt. Kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike do ta zgjedhin deputetët e Partisë Demokratike. Do të vazhdojë takime siç u lanë. Takimet kanë një pozitivistet të padiskutueshëm, do të përcaktojnë axhendat. Ishte shumë e rëndësishme axhenda që u përcaktua. Axhenda të tjera do të vijnë, por ecet drejt një procesi të cilën e mirëpresim të gjithë demokratët dhe opozitarët e vërtetë"-tha Berisha në Syri Tv.